Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama tha se Shqipëria do të shkojë në zgjedhje me 30 qershor, edhe pse opozita dhe presidenti Ilir Meta thonë se mbajtja e tyre është anuluar.
Kryeministri Rama, gjatë intervistës, flet edhe për përgjimet ku partia e tij del se është e përfshirë në manipulim të procesit zgjedhor, flet për mungesën e Gjykatës Kushtetuese në vend dhe procesin e hapjes së negociatave për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian.
Rama nuk e fsheh drojën se kriza politike mund ta pengojë këtë proces, por duke iu referuar protestave dhe kritikave të opozitës, thotë se “demokracia nuk do të negociohet”.
Intervista:
Shqipëria ka hyrë në një krizë institucionale dhe politike për shkak të mosmarrëveshjeve mes kryeministrit dhe Presidentit për datën e zgjedhjeve, por edhe opozita që proteston që nga fillimi i vitit, ku e shihni zgjedhjen dhe si do ta ruani stabilitetin politik në vend?
Rama: Zgjidhja është e qartë, është zgjidhja që mbështet i gjithë komuniteti ndërkombëtar dhe edhe shumica dërrmues e popullit shqiptar, që do të thotë se zgjedhjet nuk janë të politikaneve, janë të popullit. Populli ka të drejtë të zgjedhë në ditën e përcaktuar nga kushtetuta dhe nga ligji dhe politikanët kanë detyrë të paraqiten para popullit. Kush nuk o të paraqitet para popullit është i lirë ta bëjë, por historia ka treguar se jo vetëm se nuk fiton asgjë, por paguan një kosto të madhe politike.
Më 30 qershor ju insistoni të shkoni në zgjedhje, ndërkohë qe 27 nga 61 bashki ët Shqipërisë thonë se nuk do ta mbështesin këtë proces dhe se do ta pengojën atë. A mendoni se mund të mbahen zgjedhje në gjysmën e Shqipërisë?
Rama: Zgjedhjet do të mbahen në të gjithë Shqipërinë ata që përpiqem ta pengojnë janë gabim. Luajnë me zjarrin sepse djegin veten në raport me ligjin.
Ligjet janë të qarta, zgjedhjet kanë një administrate zgjedhore, një gjykatë zgjedhore dhe bazuar edhe në opinionin e kahershëm të Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë, çdo problem i kujtdo me zgjedhjet adresohet në Gjykatën Speciale Zgjedhore dhe askund tjetër.
Kështu që janë përpjekje te dëshpëruara, të cilat nuk kanë asnjë shans që të përmbysin bazën e rregullave të bashkëjetesës demokratike. Unë insistoj që të respektohet kushtetuta dhe e drejta e popullit për të zgjedhur.
Presidenti e zhdekretoj dekretin për datën e zgjedhjeve, Gjykatë Kushtetuese Shqipëria nuk ka për momentin. Ku do të vërtetohet vlefshmëria e këtij vendimi, por edhe e zgjedhjeve?
Rama: Gjykata Kushtetuese e ka dhënë opinionin e saj disa vite më parë dhe ka nënvizuar se aktet e Presidentit janë akte individuale, të cilat kur lidhen me zgjedhjet adresohen në Gjykatën përkatëse që është Kolegji Zgjedhorë dhe askund tjetër.
Kështu që jemi të qartë në këtë pikë. Sa i përket akti të Presidentit për zhdekretimin e zgjedhjeve është një akt i pavlefshëm dhe përbën një shkelje të rëndë të Kushtetues për të cilën Presidenti është në një procedurë shkarkimi në Parlamentin e Shqipërisë.
Gazeta gjermane Bild nxori një numër regjistrimesh ku dyshohet se ka përfshirje të PS, a jeni të gatshëm të përballen me këto akuza dhe si do ti adresoni?
Rama: Pyetja që pason këtë pyetje është pse këto përgjime nuk janë përdorur për të bërë hetim shterues, pse janë mbajtur mbyllur dhe nuk është bërë hetim dhe pse këto përgjime të mbyllura janë dërguar të partia e opozitës dhe pse ajo i dërgon në Gjermani për ti paraqitur si zbulime gjermane.
Këto nuk janë zbulime gjermane, përgjime të prokurorisë shqiptare që në mënyrë të paligjshme janë keqpërdorur duke thyer rëndë sekretin hetimor. Përgjigja është e dhimbshme por e thjeshtë, janë kthyer nga një bazë për të hetuar në ushqim për të helmuar njerëzit dhe ndërkombëtarët në prag të çeljes së negociatave.
Kjo që po ndodh është përpjekje e dëshpëruar për të frenuar çeljen e negociatave, se me këtë fillon bashkëbisedimi për anëtarësim me kapitujt e drejtësisë. Nuk është cështje si po e pastron sistemin e drejtësisë me vetingun por vendi duhet të provojë se ka një sistem drejtësie të barabartë dhe ndëshkon këdo që nga më të gjatët te më të shkurtit, që nga më të fortët tek më të dobëtit, këtë e dinë shumë mirë organizatorët e gjithë këtij plani dhe nxitësit e gjithë kësaj dhunë.