Shkupi po vazhdon rrugën e saj europiane teksa në mbrëmjen e sotme përballet në transfertë me Shamrock. Udhëtimi kishte shumë surpriza të pakëndshme për skuadrën shqiptare.
Edhe pse udhëtonte me çarter dhe destinacioni ishte Dublini, në momentin e fundit, ndërsa avioni ishte nisur për në Irlandë, pilotëve iu tha se nuk lejoheshin të uleshin në Dublin, por se duhej ta bënin uljen në një vend tjetër që ishte 300 km larg.
Për këtë arsye duhej të përdoreshin makinat dhe autobusat, duke vazhduar rrugën edhe tre orë të tjera. Një tallje kjo e irlandezëve që solli reagimin e ashpër të Shkupit.
“Një turp i madh ndaj ekipit tonë në Irlandë! Skuadra jonë po pengohet në një mënyrë kaq të pahijshme, me mashtrime. Pavarësisht buxhetit tonë, ne po përpiqeshim t’i mbanim lojtarët tanë rehat duke rezervuar një aeroplan çarter dhe duke paguar mijëra euro për t’u siguruar që lojtarët tanë mund të arrinin me shëndet të mirë, por qeveria irlandeze nuk e dëgjoi UEFA-n, pavarësisht ndërhyrjes së tyre, na zbarkoi 300 km larg Dublinit dhe i dha ekipit tonë një trajtim të pamerituar në këtë rrugëtim.
Po kështu, pas ndeshjes do ta kthejë 300 km mbrapa dhe do të fluturojnë prej andej. Fatkeqësisht, kjo nuk i është bërë asnjë ekipi tjetër përveç ekipit të Maqedonisë së Veriut, vetmia jonë është shfaqur sërish teksa përparonim në rrugën evropiane. Lusim Ministrinë e Punëve të Jashtme të Maqedonisë së Veriut që të paktën të organizojmë kthimin sonte në Dublin.
Përveç kësaj, duam t’u themi irlandezëve se duhet ta dinë mirë se ne kemi një ekip me karakter të fortë. Shpërblimi i të qenit skuadër është t’i përgjigjesh si ekip të keqes që të është bërë në të njëjtën mënyrë, andaj sot skuadra jonë do t’ju tregojë se çfarë karakteri është, si luanët në fushë, do të tregojnë se nuk ka ekip që nuk do të përkulet para mashtrimeve të tilla, mashtrime të tilla të lira nuk duhet të kenë vend në futboll, dhe nuk duhet të mbeten pa u ndëshkuar, ata vetëm FC Shkupin e trajtuan kështu, por a mund të na trajtoni njësoj nëse do të paraqitej ndonjë ekip italian, spanjoll, gjerman apo anglez? Shpresojmë që qeveria jonë t’i përgjigjet kësaj situate, me respektin tim për publikun”, shkruhet në reagim. /Sport Ekspres/