Një vit më parë, Rama do kalonte “triumfalisht” në tunelin 1.5 km të Skërficës, i cili shënonte dhe hapjen e aksit legjendar Kardhiq-Delvinë, ndryshe segmenti i ri i rrugës Tiranë-Sarandë, duke eliminuar Qafën e Muzinës me gjarpërimin e saj të lodhshëm.
Ishte një vepër infrastrukturore e nisur nga qeverisja Berisha, që në 2008-ën dhe e përfunduar nga Rama pas shumë zvarritjeve dhe milionave që hëngri në vite.
Për qeverisjen Rama do ishte dhe një tunel më tepër në punët e tij, një tunel që gjithsesi nuk eliminonte ndonjë malore, në dy anët e saj, thjesht me kthesa më të buta se Muzina, të cilat në shumatore shkurtojnë gjysmë ore nga ajo që ishte një orë rrugë: Gjirokastër-Sarandë.
Dhe ky tunel do ironizohej nga ish-zv/kryeministri e ish-ministri Arben Ahmetaj, në biseda të ngushta miqsh, duke e quajtur përtallshëm si “vrimë”. Në fakt ashtu ngjan, parë në kontekst të gjatësisë dhe specifikave të rrugës, tejet e diskutueshme në shumë aspekte.
Po të qe për tunel, në kuptimin më inxhinerik apo spektakël të fjalës, por dhe ekonomik, ai mund të qe nga Delvina në Vanister, 11 km vijë ajrore. Për këtë distancë do nevojitej një tunel afro 7 km, sa ai i Llogarasë afërsisht.
Kështu do dilte Delvina nga izolimi, ndërsa Dropulli e Gjirokastra do ishin ende rrugëkalim, ndryshe nga eliminimi i tanishëm me Kardhiqin. Jo vetëm kaq, me një të tillë tunel që do qe dhe vepër arti, edhe kostoja do ishte më e vogël se e rrugës aktuale me tunel-vrimë.
Por gjirokastriti Arben Ahmetaj ka zgjedhur të ironizojë më shumë se sa të ideojë. Nuk është cen vetëm i tij, është cen tipik shqiptar, popull apo qeveritar!