Në emisionin “Shqip” nga Rudina Xhunga, sot ishte i ftuar Astrit Selmanaj që tregoi historinë e vdekjes së një biznesi që ai drejtonte dhe vetë pronarit te biznesit në klimën e gjobave.
“Isha drejtor në firmën Pekomeri dhe një vjen një grup prej tre vetash nga Kesh dhe na thonë pse kalon ky teli këtu, pse vidhni korrentin. Nuk është e vërtetë i thashë unë dhe mora sëpatën e ndihmës së shpejtë dhe e preva telin dhe i thashë; shikoni, punon, kemi drita, nuk është e vërtetë që vjedhim korrentin.
Mirëpo pronari që ishte Petrit Metohu, një njeri shumë i zoti, punëtor dhe i dhënë shumë pas artit, u nevrikos siç nevrikosen njerëzit e punës, njerëzit e ndershëm dhe u zu me ata. unë ndërhyra në mes dhe i thashë nuk është nevoja ne mund ta zgjidhim me fjalë.
Pas tre ditësh na vjen policia elektrike, edhe na vendosin 137 milionë lekë gjobë. Kjo ngeli çështje e pazgjidhur deri në fund, madje Petriti ngulte këmbë, qe do e ndihmonte Genc Ruli ta zgjidhte.
Unë shkova e takova njërin nga ata qe erdhën dhe vunë gjobën dhe i thashë a ka ndonjë zgjidhje tjetër dhe ai më kërkoi 30 milionë lekë qe ta mbyllnim. Ishte kohë zgjedhjesh dhe këto partitë kërkonin lekë nga të gjithë, madje e gjitha ndodhi një jave pasi Petriti shkoi në një takim te biznesmenëve të mëdhenj me Berishën. Aty i vunë syrin dhe kështu shkoi.
Petriti ishte i flaktë për PD-në, nuk i shahej Berisha atij.
Nuk pranoi që unë të paguaja tek ata që kërkuan lekë dhe më siguroi që do e rregullonte Genc Ruli sepse e kishte mik. Kaluan 7-8 muaj dhe kamata rritej dhe gjoba kishte shkuar 170 milionë. Ndërkohë ne kishim tre gjeneratorë që ishin prishur, sepse na kishin prerë dritat ata dhe punonim me gjeneratorë. Përfundimisht një ditë na vendosin shiritin te dera me shkrimin policia elektrike.
Firma u mbyll dhe falimentoi, 40 punëtorë dolën në rrugë.. Nuk kaloi një vit dhe Petriti vdiq, atak në zemër. Edhe unë vetë bëra operacion në Turqi për zemrën menjëherë pas kësaj pasi nuk e përballova dot atë situatë. Unë atëherë isha rreth 56-vjeç. Mbeta pa punë, por mbeta gjallë”, u shpreh Astrit Selmanaj në “Shqip”.