Në protestën masive të veteranëve në Prishtinë, një nga zërat më të fortë dhe më të rëndësishëm ishte ai i ish-hetueses së Gjykatës së Hagës, Nevenka Tromp. Në fjalën e saj para mijëra pjesëmarrësve, ajo ngriti shqetësimin për vonesat në procesin gjyqësor ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), duke theksuar se “drejtësia e vonuar është drejtësi e mohuar”.
Tromp vuri në dukje se drejtësia, për të qenë e pranueshme, duhet të ketë legjitimitet dhe të zbatohet në mënyrë të paanshme.
“Nëse drejtësia zbatohet në mënyrë selektive apo simbolike, rrezikon të perceptohet si padrejtësi. Në raste të tilla, gjykimet nuk janë më për të zbuluar të vërtetën – por duken si gjykime të inskenuara,” tha ajo.
Tromp paralajmëroi për rreziqet që vijnë kur politikanët manipulojnë sistemet e drejtësisë për qëllime politike ose kur institucionet e drejtësisë ndihen të detyruara t’u shërbejnë narrativave politike.
Duke iu drejtuar protestuesve, Tromp kujtoi se udhëheqësit e UÇK-së shkuan vullnetarisht në Hagë në vitin 2020, “duke besuar se drejtësia do të zbatohej shpejt dhe në mënyrë të drejtë”.
Megjithatë, ajo theksoi se pas pesë vitesh ata ende mbahen në paraburgim, pa një vendim gjyqësor në horizont.
“Besimi i tyre në një drejtësi të shpejtë është thyer nga realiteti i vonesave, dënimeve të ashpra dhe shkallës disproporcionale të shpalljeve fajtor,” përfundoi Tromp.
Ajo shtoi se është ironike që udhëheqësit që po gjykohen tani janë pikërisht ata që mbështetën krijimin e Dhomave të Specializuara të Kosovës, duke qenë të vetëdijshëm për rrezikun që kjo do të paraqiste për çdo luftëtar të UÇK-së.