Një thriller ka ndodhur orën e fundit në Gonnoi të Larisës, në Greqi.
Një 60-vjeçar, ish-kandidat për deputet i ‘Agimit të Artë’ dhe njëkohësisht pronari i një zdrukthtarie dyshohet se ka vrarë 2 persona, pas një konflikti me motive ende të panjohura.
Sipas raportimeve të para nga media e vendit fqinj, viktimat janë romë nga zona e Magnezia dhe kanë pasur marrëdhënie me autorin. Mësohet se vetë autori ka thënë se ka vrarë dy persona, por deri më tani është identifikuar vetëm një person i vdekur.
Politikani është i armatosur, i pozicionuar me barrikadë në zdrukthtari dhe mban një granatë. Ai ka precedentë penalë për dhunë në familje dhe ka qenë kandidat për deputet me Agimin e Artë.
Në vendngjarje kanë shkuar forca të forta policore, ndërsa ka mbërritur edhe një ekip i i Forcave Speciale nga Selaniku, si dhe një negociator policie.
Rreth orës 11:30 të mëngjesit në vendngjarje ka mbërritur avokati i autorit, i cili ka tentuar ta bindë të dorëzohet, por siç tha ai, klienti i tij “është i vendosur”.
Sipas raportimeve, 60-vjeçari pretendon se viktimat e kanë mashtruar në blerjen dhe shitjen e makinerive dhe ndërkohë që duhej t’i jepnin 32 mijë euro, por i dhanë vetëm 2 mijë.
“Prej mëngjesit të sotëm ka nisur një operacion policor në zonën Gonnoi të Larisës, për shkak të një vrasjeje me dy persona. Në vendngjarje ndodhen një negociator dhe ekipe speciale të Policisë Greke për të përfunduar operacionin. Luten qytetarët të shmangin zonën dhe të respektojnë udhëzimet e policisë”, ishte njoftimi i policisë greke, sipas mediave.
Avokati i autorit, Stelios Sourlas, tha se po përpiqet që ta bindë autorin, por duket e vështirë, pasi nuk pranon të dorëzohet.