Ish-kryetari i Partisë Demokratike në Kukës, Ibsen Elezi ka deklaruar sot se vendimi i kreut të PD-së Lulzim Bashës, për përjashtimin e Sali Berishës nga Grupi Parlamentar i PD, është vendim individual.
Ai u shpreh se Basha duhet ta trajtonte këtë në Këshillin Kombëtar të PD-së ose në kryesi dhe për këtë arsye sipas tij vendimi është nul.
“Vendimi është politik dhe është një vendim që mund të merret, qëndrimet e ambasadës amerikanë janë shumë të rëndësishme. Ka qenë një vendim i detyrueshëm ajo çfarë është absurde është se zoti Basha ka marrë një vendim individual dhe jo institucional. Nuk mund ta largoj z. Berisha me vendimin e vet sepse ka institucione të cilat gjykojnë për çështje e rëndësishëm duhet ta trajtonte këtë në Këshillin Kombëtar ose në kryesi.
Arsyeja kryesore është se ka dash të verë në pah një lider. Po ta fuste për diskutim dhe për vendimmarrje kjo do ishte rruga më normale. Basha dha argumentin se shkel çdo lloj rregulli për hir të unitetit të partisë, por uniteti i partisë në këtë formë shkatërrohet.
Ambasada amerikanë i ka bërë trysni PD-së. Duhet të ishin thirrur organet e partisë, sepse çdo lloj vendimi është nul. Berisha do të kapet fort pas kësaj, është shumë më autokrat Basha se Berisha. Berisha zgjidhte dhe rrugën dhe institucionalizonte”, u shpreh Elezi.
Elezi tha se “arma” që ka në dorë Berisha është fakti se ai ka një influencë të lartë tek demokratët në të gjithë vendin, ndërsa Lulzim Basha sipas tij mund të rrëzohet lehtë.
“Arma në dorë që ka Berisha është sepse ka një shtrirje influence në të gjithë Shqipërinë. Influencën që ka doktori nuk e kanë të gjithë. Berisha i ka mjetet për të realizuar takime në çdo degë për të mbledhur firmat për Këshillin Kombëtar. Basha është i lehtë për t’u rrëzuar. Struktura që kanë ndërtuar janë demokratike, historia ka treguar se janë kollaj të shkërmoqshme, janë njerëz të lidhur për shkak të interesit. Berisha u kap pas sovranitetit, por kjo nuk ngjet. Sovraniteti është një nocion që ha shumë debat. Berisha duhet të heqë dorë nga sovraniteti. Nëse e transferon në betejë për të kthyer partinë në standardet e demokracisë, e fiton betejën. Nëse e trajton si betejë personale do ishte keq për PD-në. Nuk ma do mendja që do të ndërmarrë një iniciativë të tillë për të marrë PD”, deklaroi Ibsen Elezi.