Ish-anëtarja e Partisë Demokratike Alesia Balliu që u largua në moment të fundit nga lista e hapur e PD në Elbasan dhe iu bashkua partisë “Shqipëria Bëhet” të Adriatik Lapajt, pasi nuk u fut në listën e mbyllur, edhe pse rezultonte një ndër më të votuarat në Primare, thotë se po kërcënohet.
Balliu akuzon PD se po e kërcënon me bandat e Elbasanit. Balliu tha se njerëz të bandës së Çapjave që lidhen me PD e kanë shantazhuar në telefon dhe deklaroi se do t’i drejtohet SPAK. Sipas saj, gjithë këtë situatë ia ka treguar edhe Berishës, por ky i fundit nuk ka pasur reagim.
“Pas kësaj deklarate që kam dhënë në lidhje me vërtetësinë e mesazheve të Nokës, që vërteton se këto vota i ka bërë Boçi, më kanë ardhur telefonata nga kandidatja, të cilës nuk ia kam hapur.
Më pas të gjithë fisi i bandave, më kanë telefonuar numra pa fund nga Londra. Do të shkoj në SPAK.
Bandat e PD në Elbasan po më intimidojnë, unë do them gjithmonë të vërtetën. Do ta çoj telefonin në Prokurori dhe SPAK, kjo gjë s’më ndalon mua të them të vërtetën.
Çdo telefonatë që vendos PD nga bandat për të më intimiduar nuk mund të më mbyllin gojën. Do të çoj telefonin tim në SPAK sepse jam shumë e shqetësuar.
Unë kam detyrim me qytetarët që të kuptojnë lëvizjen time se pse u largova, se çfarë pazaresh bën Flamur Noka, Luçiano Boçi. Nuk besoj se zoti Berisha nuk është i informuar. Nuk tha asgjë. Do të thotë se është dakord që njerëzit e Ramës ta përfaqësojnë dhe të rrijë në opozitë”, u shpreh Balliu në Report TV.
Më herët ajo tha se Flamur Noka dhe Luçiano Boçi vendosën në garë mikeshën e Alketa Vejsiut, Klodiana Çapja, e cila u rendit e treta në listën e opozitës në qarkun e Elbasanit.