Nga data 9 deri më 13 shkurt, si dhe më 16 dhe 18 shkurt, para Dhomave të Specializuara në Hagë do të zhvillohen deklaratat përmbyllëse në gjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.
Seancat janë parashikuar të mbahen nga ora 09:00 deri në 16:30, thuhet ndër të tjera në njoftimin e Speciales. Më 9 shkurt do të paraqitet deklarata përmbyllëse e Prokurorisë, e cila do të vazhdojë edhe më 10 shkurt, së bashku me deklaratën përmbyllëse të Mbrojtjes së Viktimave.
Fillimisht do të ketë radhën Prokuroria, ekipet e mbrojtësve të viktimave, dhe më pas nga 11 shkurti do të jetë radha e ekipeve mbrojtëse të të pandehurve.
LEXO EDHE:
Analiza/ Ushtria e Kosovës në provën finale
Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarët Kadri Veseli dhe Jakup Krasniqi, dhe ish-deputeti Rexhep Selimi akuzohen për veprat penale që përbëjnë krime lufte: ndalim të paligjshëm ose arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme dhe krime kundër njerëzimit: burgosje, akte të tjera çnjerëzore, zhdukje me forcë të personave dhe përndjekje.
Ata janë deklaruar të pafajshëm për akuzat.
Krimet pretendohet se janë kryer midis muajit mars të vitit 1998 dhe shtatorit të vitit pasues në disa vende në Kosovë dhe në veri të Shqipërisë.
Aktakuza për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit ndaj katërshes së UÇK-së u konfirmua më 26 tetor të vitit 2020. Me t’u bërë publike, më 5 nëntor të po atij viti, të akuzuarit u dërguan në qendrën e paraburgimit në Hagë.
Pas përmbylljes së deklaratave, çështja kalon te trupi gjykues. Gjykatësit kanë tre muaj kohë që të marrin një vendim për çështjen dhe ta shpallin atë.
Nga Gjykata në Hagë më herët kanë treguar se gjykatësit mund të kërkojnë zgjatjen e afatit për marrjen e vendimit edhe për dy muaj, dhe në raste të jashtëzakonshme edhe më gjatë.
Teksa ky gjykim po shkon drejt fundit, Thaçi pritet të ketë ende punë me Dhomat e Specializuara, pasi ndaj tij pritet që së shpejti të nisë gjykimi për një rast të ndarë kundër administrimit të drejtësisë.
Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar u themeluan në vitin 2015 nga Kuvendi i Kosovës, dhe janë pjesë e sistemit gjyqësor të Kosovës, por veprojnë me personel ndërkombëtar në Holandë.






