Ish-prokurori Shkëlqim Hajdari ka analizuar sot në emisionin ‘Pikat mbi i’ dënimin me 3.4 vite burg të ish-ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri nga Apeli i GJKKO-së. Hajdari u shpreh se “janë dy gjykata që e kanë deklaruar fajtor” Saimir Tahirin.
“Edhe ajo e shkallës së parë dhe e Apelit të GJKKO me ndryshimin e vetëm që Apeli ka hequr pezullimin e ekzekutimit të vendimit”, theksoi ai.
Hajdari, si ish- drejtues i Prokurorisë së Apelit, tha se sa i përket dënimit, “nga pikëpamja teknike procesi ka shkuar normal se prokurorët kanë kërkuar deklarim fajtor për vepra e akuza më të rënda, ndërkohë që GJKKO ka lënë në fuqi me ndryshimin e vetëm që s’mund të aplikohet neni 59, pra pezullimi i ekzekutimit të vendimit.
Për publikun neni 59 e vendos një person në kushtet e provës kur ka probleme shëndetësore, probleme familjare, fëmijë të mitur që duhet të kujdeset e pranon akuzën, tregon pendim të thellë, gjë që për mendimin tim nuk i plotësonte Saimir Tahiri.
Masa e dënimit për mua është dhënë në përshtatje me akuzën për shpërdorimin e detyrës”, u shpreh Hajdari.
Ish-kryeprokurori Hajdari tha se gjykata ka rrëzuar prokurorinë “që ka kërkuar deklarim fajtor për pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal”.
“Gjyqtarët kanë deklaruar se ka prova për shpërdorim detyre. Avokatët kanë pasur pretendime për procedurë se dy gjyqtarët e trupës gjykuese janë në konflikt interesi, se njërin prej tyre Tahiri ka dashur ta penalizonte e një tjetër një lidhje tjetër”, tha ish- Prokurori Hajdari.
Sipas tij, ish-ministri Tahiri e dinte që mund të arrestohej në sallën e gjyqit.
“Tahiri është jurist e kuptohet se tre ishin variantet në Apel, varianti i parë që të lihej vendimi në fuqi, varianti i dytë që gjykata të ndryshonte aplikimin e nenit 59 dhe varianti i tretë më pak i mundshëm ishte që ta dënonte për një akuzë më të rëndë.
Një nga variantet e dinte shumë mirë që ai do arrestohej në sallën e gjyqit tregon integritet që Tahiri shkoi në gjyq e u përball me drejtësinë deri në fund”, u shpreh Hajdari.