I ftuar në emisionin “Shqip” nga Rudina Xhunga në “Dritare TV”, Ish zv.shefi i Shtabit të UÇK dhe koloneli i njohur Dilaver Goxhaj ka analizuar luftën në Ukrainë.
Kolonel Goxhaj flet me kritika për presidentin e Ukrainës duke e quajtur tradhtar pasi nuk po e mbron vendin e tij siç premtoi dhe se nuk ka ushtrinë e duhur që ai tha se e kishte para se të fillonte lufta.
“Unë befasohem për diçka, para se të fillonte lufta presidenti Zelensky tha se Ukraina ka që kemi mbi 250 mijë ushtarë dhe mbi 900 mijë rezervistë. Ku janë këta? Ku është kjo ushtri? Ukraina po lufton si në mesjetë. Ku i ka mbrojtjet kundër tanke?
Thotë edhe se ka mbi 40 gjeneralë, për çfarë janë këta gjeneralë, ku e ka këtë ushtri presidenti i Ukrainës me 900 mijë rezervistë, si duket i ka si lista, por nuk kanë bërë stërvitje për ushtri. Nuk është i zoti dhe i lutet NATO-s pasi nuk ka ushtrinë e vet. Po kur Kosovës iu përzu 50% e popullsisë pse nuk u ngrit një nga Ukraina kundër serbëve. Nuk doli një politikan i Ukrainës të thoshte çfarë po bën.
Kurse tani Ukrainës i iku 1% e popullsisë, kurse ne na iku 50% e popullsisë. Unë nuk urrej Ukrainën, urrej presidentin e saj Zelenskyn, pasi tradhtoi popullin e tij, nuk e organizoi mbrojtjen, ku e ka ushtrinë? Nuk mbrohet vendi kështu siç po bën ai dhe mendoj që Rusia ka për t’i realizuar të gjitha kërkesat e saj”, u shpreh kolonel Dilaver Goxhaj, duke shtuar: “Ai po tradhton vendin me luftën mesjetare!”/Dritare.net/