Në rubrikën “Galeria” Erion Braçe kujton kur u bë deputet për herë të parë në ’96-të, i cili kandidonte në zonën e Beratit.
Ai tregon se u sulmua nga disa banditë që u bë gjak në të gjithë trupin. Mos mjaftonte kjo, ai u qëllua me breshëri plumbash në selinë e PS-së, por plumbat qëlluan fotografinë e Fatos Nanos të vendosur mbi kokën e tij.
“Unë kam shkuar më 26 maj të vitit 1996 me porosi të shokut Gramoz nga Berati ku isha copash, ai dëgjonte plumbat. Unë flisja me Gramozin në telefon pasi dola nga komisariati i Beratit i gjakosur totalisht, kam ecur në rrugët e Beratit ashtu siç isha në gjak, njerëzit u tmerruan. Kam mbërritur në selinë e PS-së.
Të kërkon Gramozi më thanë, fola, më pyeti si je? I thashë copash, gjithë Partia Socialiste është copash i thashë. Më tha mirë, shko në Poliçan, i thashë pse duhet të lëviz prej këtej, ai më tha shko në Poliçan. Në momentin që unë po konsumoja këtë bisedë hyn një grup njerëzish, një bandë dhe unë kisha një foto të Fatos Nanos sipër edhe mbi kokën time qëlloi 7-8 herë Fatos Nanon.
Ngelëm, u ngrimë, një pjesë u shtrimë, një pjesë ndenjën etj dhe u kujtova që ishte Gramozi në telefon. Më pyeti çfarë ndodhi? I thashë erdhën na gjuajtën këtu, kjo është gjendja. Unë kam vajtur në Poliçan, kam shkuar të nesërmen në Tiranë, me të gjitha gëzhojat e asaj dite, këmishën me gjak, kollaren me gjak e kështu me radhë, kështu kam hyrë në politikë dhe parlament, me këtë histori”, tregon Braçe.