Ilir Allkja, mjek në Urgjencën e QSUT ka deklaruar se është futur në karantinë, pasi kishte vizituar 3 pacientë që dyshohet se ishin me koronavirus, ndërkohë që nuk ishte veshur me veshjen speciale.
Përmes një mesazhi që publikoi Lulzim Basha, Allkja tha se nuk kishte qenë në dijeni të faktit që këta persona dyshoheshin se ishin prekur nga COVID-19.
Atij i është përgjigjur ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu:
“Lulzim Basha sapo abuzoi përsëri me publikun, duke nxjerrë videon e një mjeku të QSUT, me pretendimin që ishte i papajisur me veshjen mbrojtëse apo me “pajisjen mbrojtëse”, siç e quajti!
Nuk e di çfarë e ka shtyrë mjekun në fjalë të thotë që s’ishte i pajisur me veshjen speciale. Nuk e di në cilën gjuhë të botës mund t’i thuhet Lulzim Bashës, që kjo që po bën përditë është skandaloze, e turpshme, kriminale!
Por di që kjo foto është postuar nga vetë mjeku që u prezantua sot nga Lulzim Basha, njësoj si “1.2 milion maskat helmuese” që dje!
#Turp dje #Turp sot
Vetë Allkja gjatë gjithë kohës ka publikuar foto me veshje speciale duke u shprehur i gatshëm në luftën kundër Covid-19.
Njëkohësisht, në profilin e tij gjen edhe poza si pjesëmarrës në mitingjet e PD, apo statuse kundër Ramës.