Përjashtimet nga partitë, ndarjet, fraksionet, etj pas dhjetorit ‘90, kanë qenë të shumta, shpesh anektodike për nga rrethanat.
Por “përjashtimi i parë” ua kalon gjithë të tjerëve.
Ka ndodhur “live” që në orët e para të PD-së, në tribunën e “heronjve” të dhjetorit, ku shkëlqente Berisha.
Ish-truproja e tij Izet Haxhia e rrëfen episodin në një nga intervistat e tij në Dita për ngjarjet e dhjetorit 90.
I përjashtuari i parë ishte një piktor dhe quhej Rexhep Aliaj.
“Ka qenë Rexhep Aliaj, një piktor dhe arsyeja e përjashtimit ishte se doli dhe foli në tribunën e mitingut të parë të PD-së me 15 dhjetor pa qenë në protokoll.
Berisha i kërkoi llogari dhe Rexhepi iu kthye se “kush je ti që po kërkon llogari. Ti je një komunist i thekur”. Berisha i tha je i përjashtuar nga PD-ja, edhe pse nuk ishte bërë akoma kryetar i saj. Rexhepi i futi një të sharë dhe u largua…” – tregon Haxhia.
Ai rrëfen se si Berisha instruktoi gjithë folësit e asaj dite që të zbusnin tonet dhe sidomos të hiqnin nga fjalimet e tyre termin “opozitë”.
Por… e përdori vetë atë.
“Të nesërmen e legalizimit më 15 dhjetor u mbajt mitingu i parë i PD-së së sapokrijuar. Përpara mitingut u caktua se kush do të dilte në tribunë dhe kush do mbante fjalime.
U vendos që në fjalimet që do mbaheshin të mos goditej regjimi se mos na zemërohej partia mëmë. Aq të buta ishin fjalimet sa as fjala opozitë u tha që të mos përmendej. Berisha e hoqi nga fjalimi i Azemit këtë fjalë, por çfarë të dëgjojmë! Berisha në fjalën e tij përmendi disa herë fjalën opozitë.
Azemi u nxeh shumë pas kësaj me Berishën. Kjo tregonte se Berisha do të ishte një hap përpara gjithmonë me të tjerët në PD. Ishte hera e parë që po ua fuste, por jo e fundit…” – tregon Haxhia.