Bilanci italian i pandemisë flet për një ulje graduale të shifrave, edhe pse vendi regjistron gjithsesi qindra viktima çdo ditë .
Dita e fundit flet për 10585 të infektuar nga COVID-19, shifër kjo në rritje, ndërkohë që viktimat janë në ulje, 267 nga 305 të 24 orëve më parë.
Vendi fqinj ka kaluar 4 milionë të infektuarit nga shpërthimi i pandemisë vitin e kaluar, ndërkohë që viktimat janë më shume se 122 mijë, ndërkohë që ka ende 2368 persona që ndodhen në terapi intensive. Rajoni më i goditur mbetet Lombardia me 1557 raste, e ndjekur nga Kampania, Pulia dhe Piemonte.
Ndërkohë, autoritetet shëndetësore kanë zgjeruar harkun kohor midis dozës së parë dhe të dytë për vaksinat Moderna dhe Pfizer, nga 21 në 42 ditë.
Zgjerimi kryhet për të mundësuar një shtrirje sa më të madhe në popullsi të vaksinuarve me të paktën një dozë, nga momenti që sipas studimeve të fundit, edhe vetëm doza e parë e këtyre dy vaksinave ul me 80% riskun e pasojave të rënda të COVID-19, si shtrimi në terapi intensive dhe vdekja.