Afrimi zgjedhjeve të pjesshme lokale të 6 Marsit ka alarmuar grupin e ish-kryeministrit Sali Berisha. Prej ditësh demokratët e rreshtuar me Berishën kanë hedhur akuza ndaj opozitës dhe qeverisë, ndërsa kanë bërë thirrje për përmbysje.
Por gazeta ka mësuar se në prapaskenën situata a agravuara, ndërkohë që mësohet se ithtarët e ish-liderit demokratë kanë premtuar se do të përzënë kreun e Partisë Demorkatike, Lulzim Basha nga selia e PD pas 6 marsit.
Madje referuar të njëjtave burime, mësohet se besnikët e Berishës do të vënë në zbatim të njëjtin skenarë, sikundër ndodhi më 8 janar të këtij viti, ku selia blu u kthye në një shesh beteje, ku mbështetës të ish-kryeministrit u përplasën fizikisht me ata të kryedemokratit.
Spaho thirrje për protesta
Megjithatë sinjale për revolta ka dhënë dje edhe anëtari i Komisionit të Rithemelimit, Edmond Spaho, i cili në rrjetet sociale ka bërë thirrje për protesta të fuqishme për të rrëzuar dyshen Rama-Basha. Spaho ka bërë thirrje të vazhdueshme që qytetarët të dalin të shesh në mënyrë që problem i tyre të dëgjohet.
Teksa ka reaguar për situatën në Devoll, ku prej disa ditësh mungon energjia elektrike, Spaho shkruan se askush nuk po e vë ujin në zjarr nga qeveria. Deputeti demokrat shprehet se mungojnë shërbimet më minimale për qytetarët, përfshirë furnizimin me ujë në mjaft zona.
Sipas tij, bizneset janë në gjendje katastrofale nga mungesa e energjisë. Edhe ish-presidenti Bujar Nishani, i pozicionuar në krah të Sali Berishës e cilëson 6 marsin si një përballje me qeverinë që sipas tij vjedh çdo ditë shqiptarët.
Nishani shkruan se 6 marsi do të jetë përballje edhe me “kukullën karrige thyer e të korruptuar”. “Më 6 mars përballje me një regjim qeverisës që vjedh, vjedh dhe vetëm vjedh çdo ditë shqiptarët, qofshin ata demokratë, socialistë, me parti apo pa parti.
Më 6 mars përballje edhe me kukullën karrigethyer e të korruptuar të këtij regjimi dhe një grusht marionetash të pa turp e pa moral të kthyera në fasadën e shëmtuar të hajnisë qeveritare. Të dyja modelet, hajninë qeveritare dhe maskën e hajnisë ti dënojmë me votën e njerëzve të lire”, shkruan Nishani.
Berisha: Pranvera e protestave po troket
Por sinjale se pranvera do të jetë e mbushur me protesta ka dhënë dhe ish-kryeministri Sali Berisha, i cili disa javë më parë tha se gjatë kësaj pranvere do të ketë një sërë protestash të fuqishme, duke e vënë theksin tek lufta kundër korrupsionit. Ai tha se kjo do të jetë përparësia madhore. “Pranvera do të jetë pranverë protestash të fuqishme për të shpëtuar nga kjo qeveri narkoshteti.
Lufta kundër korrupsionit do të jetë përparësia madhore në qeverisjen e ardhshme të PD”, u shpreh Berisha. Ai gjithashtu tha se vëmendje të madhe do t’i kushtohet presionit ndaj Prokurorisë për të hetuar dosjet. “Aktivizimi i mekanizmave dhe dorëzimit të dosjeve në prokurori do të jetë një domosdoshmëri që sot Prokuroria hap proces për t’i vënë kapak aferave gjigante, siç është rasti i ministrit Koka.
Me politikë ekonomike të drejta dhe klimë biznesi e konkurrencë të ndershme, taksa të ulëta dhe një përqendrim të madh në kualifikimin e tregut të punës, garancitë ligjore për investortët e huaj, janë faktorë të realizueshëm për të përshpejtuar rritjen ekonomike të vendit.
Për 8 vite nuk ka ardhur asnjë investitor i madh i huaj, përkundrazi kanë ikur”, u shpreh Berisha. Gjithashtu, ish-kryeministri ka paralajmëruar se do të vazhdojë beteja edhe për selinë e PD, pas zgjedhjeve të 6 marsit. Berisha tha selia dhe logo e PD nuk i përket Lulzim Bashës, por demokratëve.
“Çdo demokrat e sheh si një logo të burgosur dhe nuk është gjë tjetër veçse një motiv për ta çliruar sa më parë. Ne betejën dot a vazhdojmë, ju garantoj, revolucioni nuk ndalet. Ne do t’i rikthehemi, selia është e jona, logoja është e jona”, u shpreh Berisha.