Partia Socialiste brenda dhjetorit pritet të ketë gati ligjin për izolimin e Presidentit të Republikës. Në datën 6 nëntor gazeta “SOT” publikoi draftin me 17 faqe të ligjit të ri organik mbi të cilin do të funksionojë institucioni i Presidentit të Republikës, ndërsa palët kanë gjetur dakordësi që ai t’u nënshtrohet procedurave parlamentare.
Por edhe pse kanë kaluar më shumë se dy javë nga zbardhja e këtij ligji, Kuvendi dhe komisionet parlamentare nuk e kanë parashikuar ende futjen e draftit për diskutim. Gazeta u interesua pranë Komisionit të Ligjeve dhe mësoi se arsyeja se përse nuk ka nisur diskutimi është fakti se mazhoranca po e rishikon, duke i dhënë një dorë të fundit draftit të ligjit të ri organik në disa prej neneve të tij, në mënyrë që të forcojë më shumë dhe të mos lërë shteg për abuzime dhe keqinterpretime.
Kjo do të thotë se brenda dhjetorit pritet dorëzimi në Parlament i draftit të plotë, i cili pas votimit dhe hyrjen në fuqi do të t’i rrudhë kompetencat presidentit Ilir Meta dhe atyre pasardhës sa i takon dhënies së dekoratave, kthimit të ligjeve, dhënieve të shtetësive dhe betimin e ministrave.
Brenda dhjetorit pritet dorëzimi në Parlament
Pra, në kushtet kur presidenti Ilir Meta ka nisur një betejë të fortë me mazhorancën, pasi është zhveshur nga roli i kreut të shtetit, duke u marrë me politikë dhe ndërkohë ka kthyer më shumë ligje se çdo president tjetër, mazhoranca është kujdesur që të forcojë dhe futur disa nene në ligjin e ri organik që ndalon presidentin të kthejë ligjin pa përcaktuar saktë se ai bie ndesh me Kushtetutën apo ligje të tjera, apo të zhdekretojë zgjedhjet.
Madje, sipas informacioneve edhe vetë kryeministri Edi Rama dhe kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla ka kërkuar nga deputetët që të përshpejtohet puna për ligjin organik, në mënyrë që të mos zvarritet. Por sidoqoftë e gjithë nevoja për ligjin organik ka ardhur pas përplasjeve me Metën, i cili në disa raste ka bllokuar edhe dekretimin e ministrave të qeverisë “Rama”.
Kështu që burime nga anëtarët socialistë të Komisionit të Ligjeve theksuan se tek ligji i ri po rishikohen dhe forcohen edhe nenet, përmes të cilëve pritet që t’i lidhin duart kreut të shtetit për dekretimin e qeverisë së re. Kështu mësohet se pika kryesore e ligjit të ri, ka të bëjë me atë se kë duhet të mandatojë për Kryeministër, presidenti Ilir Meta, pas zgjedhjeve parlamentare të 25 prillit të vitit 2021.
Meta e ka paralajmëruar herë pas here se ai do të refuzojë të dekretojë një qeveri që del nga zgjedhje jo demokratike, duke i çuar sinjale kryeministrit Edi Rama se do ta ketë “malore”, për sa kohë ai do të jetë në krye të institucionit të Presidencës. Por përmes forcimit të neneve të ligjit të ri organik, i cili pritet që brenda dhjetorit të dorëzohet në Parlament, është parashikuar se në këtë rast, kryeministrin e zgjedh Kuvendi, pavarësisht mungesës së dekretit nga kreu i shtetit.
Megjithatë, mbetet të shihet në ditët në vijim se çfarë do të ndodhë më konkretisht. Kujtojmë që pak ditë më parë edhe vetë kryeministri Edi Rama teksa ishte duke folur nga foltorja e Parlamentit, u shpreh qartë se ligj organik për Presidentit e Republikës është i domosdoshëm në mënyrë që sipas tij, Ilir Meta të mos bëjë më “çudira”. “E rëndësishme është çfarë vjen të mos sjellë të reja nga fronti i shkeljeve dhe i vandalizmave antikushtetues në zyrën e presidentit.
Prandaj ligjin organik për presidentin dhe të gjitha ndërhyrjet e tjera të nevojshme, që nëse presidentit i qëllon që ta ketë hënën mbrapsht, në një kohë kur popullit shqiptar i duhet të shkojë në zgjedhje dhe bën përsëri çudi të atillë, apo çudira të tjera që as na shkojnë në mendje se nuk u kanë shkuar në mendjen atyre që kanë shkruar Kushtetutat, është e shkruar aty dhe mbaron”, deklaroi kryeministri Edi Rama./Rigels Seliman