Një orë para mesnatës, ushtria izraelite filloi pushtimin e qytetit të Gazës. Qielli u bë portokalli nga bombardimet. Dronët dhe raketat e lëshuara nga avionët luftarakë shkaktuan shpërthime të fuqishme. Tre brigada ushtarake që mbanin Yllin e Davidit, secila e përbërë nga tre batalione, filluan Operacionin “Tanket Gideon B”, për të përfunduar misionin e kryeministrit Netanyahu për të marrë kontrollin e qytetit të Gazës.
Tanket e IDF-së hynë në rrugën Al-Jalaa, në zemër të qytetit të Gazës. Të paktën 62 persona raportohet se janë vrarë, ndërsa mediat raportuan 37 sulme në vetëm 20 minuta. Mijëra njerëz po ikin nga qyteti i Gazës pas nisjes së operacionit. Pamjet gjatë natës tregonin karvanë të gjatë që largohen nga qyteti. Sipas IDF, rreth 300 mijë janë larguar nga qyteti në javët e fundit.
Ministri i Mbrojtjes, Izrael Katz u shpreh i bindur për efektivitetin e operacionit të nisur, teksa deklaroi: “Gaza po digjet. Ushtria po godet infrastrukturën terroriste me grusht të hekurt”. Për Katzin, “Ushtarët po luftojnë heroikisht për të krijuar kushtet për lirimin e pengjeve dhe mposhtjen e Hamasit. Ne nuk do të dorëzohemi ose nuk do të kthehemi prapa derisa misioni të përfundojë”.
Më herët, me nisjen e këtij operacioni, presidenti amerikan Donald Trump kërcënoi Hamasin pasi mësoi se pengjet ishin nxjerrë nga tunelet për t’u përdorur si mburoja njerëzore.
“Shpresoj që udhëheqësit e Hamasit të dinë se në çfarë po përfshihen nëse bëjnë diçka të tillë. Kjo është një mizori njerëzore, të cilën pak njerëz e kanë parë më parë. Mos e lini të ndodhë kjo, përndryshe, të gjitha bastet janë të gabuara. Lironi të gjithë pengjet. Tani”, shkroi Trump në Truth Social.
Përgjigja e kryeministrit Benjamin Netanyahu ishte e menjëhershme: “Faleminderit, President, për mbështetjen tuaj të palëkundur.”