Pushtetarët shqiptarë dhe ata të Republikës Domenikane cilësohen si më të korruptuarit nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Dy ditë më parë u shpall i padëshiruar ish-kryebashkiaku i Durrësit, Vangjush Dako, ndërsa gazeta ka siguruar listën e plotë të Departamentit Amerikan të Shtetit, me personat të cilët janë shpallur “non grata” për shkak se dyshohen të përfshirë në afera korrupsioni.
Lista përmban 19 emra, ku përfshihen zyrtarë dhe familjarë të tyre. Shqipëria është padyshim në vendin e parë, ndërsa më pas vjen Republika Domenikane, ku është shpallur i padëshiruar një zyrtar i lartë. Bëhet fjalë për emra që u është ndaluar udhëtimi sipas përcaktimeve të Seksionit 7031 (c), në ligjin për buxhetin e shtetit. I pari në listë është padyshim Adriatik Llalla, bashkëshortja dhe vajza e tij. Më pas vjen deputeti Tom Doshi, bashkëshortja, vajza dhe djali i tij. Më pas vjen Felix Ramon Bautista Rosario. Bëhet fjalë për një senator të Republikës Domenikane, i cili është akuzuar disa herë si i përfshirë në afera korrupsioni. Pastaj janë bashkëshortja dhe 6 fëmijët e tij. Në fund është Dako me bashkëshorten dhe 2 fëmijët e tij. Pra, në bazë të përcaktimeve të Seksionit 7031 (c), në SHBA u është ndalur hyrja plot 19 personave. Nga këta, 8 i përkasin Republikës Domenikane dhe 11 janë nga Shqipëria. Ajo që bie në sy është fakti se nuk është shpallur i padëshiruar asnjë funksionar në shtete të tjera. Në përgjigjen që DASH dha për gazetën një ditë më parë, tregoi qartë se bllokimi i vizave është një mesazh për të treguar se sa seriozisht e kanë marrë luftën ndaj korrupsionit. Po ashtu, fakti që janë shpallur “non grata” 3 zyrtarë, tregon se korrupsioni shqiptar përbën më shumë kërcënim për amerikanët. Sipas Seksionit 7031 (c), bllokimi i udhëtimeve vjen vetëm kur personat e korruptuar përbëjnë kërcënim për shtetin amerikan. “Zyrtarët qeverive të huaja dhe anëtarët e familjes së tyre, për të cilët Sekretari i Shtetit ka informacion të besueshëm se janë të përfshirë në korrupsion, përfshi dhe për nxjerrjen e burimeve natyrore, apo shkeljen e të drejtave të njeriut, u ndalohet hyrja në SHBA. Sekretari informon gjithashtu publikisht ose privatisht zyrtarët e qeverive të huaja dhe anëtarët e afërt të familjes, për të cilët ka informacion të besueshëm, nëse kanë aplikuar për vizë”, thuhet në ligj.
Vendimi i presidentit
Përveç Ligjit të Buxhetit, i cili i jep kompetenca Sekretarit të Shtetit që të shpallë të padëshiruar individë të caktuar, është dhe një vendim presidencial që i jep të drejtë ambasadës amerikane që të ndalojë udhëtimin e pushtetarëve të korruptuar në SHBA. Bëhet fjalë për vendimin 7750. Sipas tij, nuk do lejohen në SHBA nëpunësit publikë ose ish-zyrtarët publikë të cilët kanë kërkuar apo pranuar vlera monetare, ose ndonjë përfitim tjetër, në këmbim të një veprimi apo mosveprimi në kryerjen e funksioneve të tyre publike. Po ashtu, personat të cilët përfitojnë ose ofrojnë vlera monetare apo përfitim tjetër, për çdo zyrtar publik në këmbim, të një akti apo lëshimi në kryerjen e funksioneve publike. Nëpunësi publik ose ish-zyrtari publik i cili ka shpërdoruar fondet publike apo ka ndërhyrë në proceset gjyqësore, elektorale, apo procese të tjera publike. Gjithashtu u ndalohet hyrja në Shtetet e Bashkuara të Amerikës edhe bashkëshortëve, të afërmve, familjarëve apo fëmijëve të personit që dyshohet se është i korruptuar, të cilët mund të kenë përfituar nga paratë e marra në mënyrë jo ligjore. Pra, Dako, Doshi dhe Llalla pritet të mos jenë të vetmit. Sipas “VOA” janë 170 zyrtarë të cilëve u janë refuzuar vizat dhe kjo është bërë mbi këtë vendim. Ambasada nuk i publikon emrat për shkak të konfidencialitetit, por është folur se mes tyre janë dhe Sali Berisha e Petrit Vasili. Por në bazë dhe të ecurisë së reformës në drejtësi, ky numër pritet të shtohet ndjeshëm. /Kliti Topalli