Zona e Korçës dhe e Ersekës janë zgjuar dje në lëkundje të forta tërmeti. Gjatë orëve të para të mëngjesit ka pasur disa lëkundje, ku më e forta ishte 5.3 ballë e shkallës Rihter.
Të dhënat zyrtare nga Instituti i Gjeoshkencës raportojnë se lëkundjet e para janë ndjerë në orën 04:26:17 të mëngjesit, ku është regjistruar një lëkundje tërmeti me magnitudë 5.3 Rihter, me koordinata 40.470 në veri dhe 20.710 në lindje, me thellësi 14 km dhe me epiqendër, 15 km në jug-lindje Floq, të Bashkisë Korçë.
Nga informacionet e marra është raportuar se lëkundjet e tërmetit disa banesa janë dëmtuar. Sipas informacioneve të marra nga OSHEE, raportohet se në Kolonjë ka çarje të mureve dhe rrezik të shembjeve të kabinave elektrike në fshatrat; Boshanj, Milec, Selenicë, Pishës, Çlirim, Qytezë, Shtikë dhe e dëmtime të shumta janë Pepellash, Blush, Qafzës, Qesarakë, Kaltanj, Helmes. Mbrëmë ishin pa energji Boshanj, Milec, Selenicë e Pishës, Helmes,Qyrezq, Çlirim .
Ndërkohë burime nga prefektura raportojnë se rreth 50 shtëpi janë dëmtuar në Floq dhe Qafezes si dhe 10 dhe fshatin Vidohovë. Ndërkohë 4 perona kanë mbetur të lënduar. Mbi tëmretin dha detaje dhe Ministria e Mbrojtjes.
“Banesa të evidentuara me çarje muresh, shembje çatie dhe shembje suvash deri tani në fshatin Floq dhe Dvoran janë 70 banesa. 50 banesa janë të vjetra dhe të pa banuara prej shumë vitesh. Në fshatin Qafëzezë janë të dëmtuara nga tërmeti 10 banesa. Në fshatin Vidohovë kanë pësuar çarje të mureve 20 banesa të vjetra.
Komisionet e konstatimit dhe vlerësimit të dëmeve janë në terren dhe po evidentojnë çdo dëm të shkaktuar. Nga informacioni i marrë nga Spitali Rajonal Korçë, informohemi se 4 shtetas kanë shkuar në urgjencën e spitalit për të marrë ndihmën e parë pasi nga rënia e mureve të disa banesave kanë pësuar lëndime të lehta.
Spitali Rajonal Korçë është në gatishmëri me autoambulanca, staf mjekësor dhe me kapacitet 300 shtretër për përballimin e çdo situate”, njoftoi ministria. Kryebashkiaku i Korçës, Sotiraq Filo, deklaroi se banorët ndihen të rrezikuar dhe se ka kërkuar që të furnizohen me 100 çadra që të ngremë në kamp të përkohshëm për banorët që do kalojnë natën jashtë.
“Nga ana e bashkisë dhe shtabit të emergjencave janë marrë masat dhe presim raportime nga qytetarët. Kemi bashkëpunuar edhe me shtabin qendror të emergjencave pasi një pjesë të banesave janë dëmtuar dhe banorët kanë frikë të kalojnë natën brenda tyre. Kemi kërkuar të furnizohemi me 100 çadra dhe të ngremë një kamp të përkohshëm për familjet që kanë problematika më të mëdha”, u shpreh Filo.