Fotografia e një zjarrfikësi që mban në dorë një fëmijë të mitur po qarkullon në rrjetet sociale dhe disa portale si e realizuar gjatë zjarreve tragjike që i morën jetën 79 personave në Greqi.
Në fakt kjo fotografi daton në vitin 1989 dhe është realizuar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Ajo që ra në sy gjatë tragjedisë në Athinë ishte kujdesi i mediave të shtetit fqinj për të mos publikuar asnjë fotografi me përmbajtje grafike të viktimave.
Fotografia në SHBA, fituese e çmimit Pulitzer
Pas kamerës qëndron Ron Olshwanger. Ai ka fotografuar momentin kur zjarrfikësi Adam Long nxjerr nga banesa e përfshirë nga flakët në St.Louis një vajzë të mitur.
Tragjikisht, 2-vjeçarja Patricia Pettus ndërroi jetë 6 ditë më pas në spital. Të nesërmen fotografia rrëqethëse pushtoi faqet e gazetave në mbarë Amerikën. Po atë vit Olshwanger fitoi çmimin Pulitzer.