Presidenti i Republikës Ilir Meta do të jetë përballë Komisionit Hetimor që është ngritur për shkarkimin e tij nga detyra në datë 9 shtator ora 10:00. Vetë kreu i shtetit pranoi sot se do të shkonte për t’iu përgjigjur pyetjeve të deputetëve të shumicës socialiste dhe opozitës së re. Sipas burimeve nga Presidenca thirrja ende nuk ka mbërritur nga Kuvendi, por gjithçka është dakordësuar mes institucioneve.
Ditën e djeshme, Komisioni hetimor miratoi me shtatë vota pro dhe një kundër planin për hetimin e presidentit Ilir Meta. Hetimi për kreun e shtetit nëse ka shkelur kushtetutën me anulimin e zgjedhjeve të 30 qershorit, do të zgjasë deri më 8 tetor të vitit 2019. Mazhoranca do të ndjekë 9 hapa, ku faza e parë është pikërisht seanca dëgjimore me presidentin Ilir Meta deri në krijimin e një raporti përfundimtar, i cili do t’i prezantohet në fund Kuvendit.