Deputetja e PD-së Albana Vokshi i ka bërë thirrje SPAK-ut që të arrestojë kreun e Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj dhe kryeministri Edi Rama.
Sipas interpretimit të saj, vendimi i djeshëm i Gjykatës Kushtetuese vërtetoi se prishja e Teatrit Kombëtar ishte e paligjshme.
“Sot është më e qartë se kurrë, se pikërisht në mungesë të Kushtetueses, regjimi ndërmori një revansh të ashpër ndaj shtetit të së drejtës. Ky revansh është edhe një nga arsyet e krizës politike që prej vitesh regjim ka nxitur në jetën e vendit dhe që masakra zgjedhore e 25 prillit nuk zgjidhi dot.
Shpallja ANTIKUSHTETESE e ligjit për ndërtimin e teatrit me PPP, që grabiste pronën publike, dhe vendimi për kalimin e Teatrit nga Ministria e Kukturës te Bashkia bën nul çdo vendimmarrje të Këshillit Bashkiak dhe Erion Veliajt mbi një pronë që nuk ju takon. Ky vendim është i paligjshëm”, tha Vokshi.
Gjykata Kushtetuese arsyetoi dje se kalimi i tokës së Teatrit në pronësi të Bashkisë së Tiranës ishte i paligjshëm, duke rrëzuar gjithashtu edhe ligjin special, ndërsa nuk mundën që të bëjnë një vlerësim për mungesë kuorumi nëse ishte apo jo e ligjshme prishja e godinës së Teatrit.