Ish-kryeministri Sali Berisha ka deklaruar dje se i janë ofruar shuma marramendëse nga rusët për të bllokuar gazsjellësin TAP.
Pas gati 10 vitesh nga largimi nga pushteti, ish-kryeministri ka bërë një deklaratë të fortë, çka tregon se ka pasur flirte dhe kontakte me rusët e Gazprom për të bllokuar rrjetin TAP. Por Berisha duket se thotë gjysmën e të vërtetës, pasi gazeta ka mësuar se në lojë në atë kohë kanë qenë edhe iranianët, të cilët donin të bëheshin pjesë e gazsjellësit TAP, i cili sjell gazin nga Azerbajxhani në Europë.
Irani ka shprehur vazhdimisht interesin për furnizimin me gaz të tregjeve evropiane, edhe pse herë pas herë ishte kufizuar për shkak të sanksioneve të SHBA. Sipas informacioneve, mësohet se përfaqësues të Iranit kanë lobuar fort tek zyrtarët grekë, tek Sali Berisha dhe tek të gjithë aktorët e tjerë me ndikim, për t’u bërë pjesë e projektit TAP që vjen nga Azerbajxhani në Evropë, duke kaluar përmes Greqisë, Shqipërisë dhe duke dalë në Itali.
CIA dhe FBI shkundin Berishën
Por përfaqësuesit e CIA dhe FBI në Tiranë kanë qenë të angazhuar dhe shumë të shqetësuar për këtë flirt të Berishës me Iranin. Shqetësimi u reflektua nga rrjedhja e kabllogrameve që ambasada amerikane në Tiranë i dërgonte Departamenti Amerikan i Shtetit.
Kabllogramet tregojnë se si Sali Berisha është mbajtur gjithnjë nën monitorim. Asokohe Irani kërkonte të bëhej pjesë e kësaj linje. Madje Irani ka arritur të bindë Sali Berishën për të kushtëzuar kalimin e TAP në Shqipëri, me kusht përfshirjen e gazit iranian.
Në këmbim, sipas burimeve sekrete, Sali Berisha dhe Ilir Meta do të merrnin 2.5 miliardë euro në dorë si dhe më pas 25 % të aksioneve në tubacionin e gazit. Po ashtu, referuar të njëjta burimeve, gjatë pazarit janë diskutuar edhe mënyra se si do kalonin paratë, përfshirë ato fizikisht me çanta, por edhe përmes kamuflimit me anë të kompanive të ndryshme në parajsa fiskale. Kur Sali Berisha ka nisur lëvizjet në prapaskenë për të penguar projektin, me kërkesën e përfshirjes së Iranit, kanë ndërhyrë në mënyrë energjike amerikanët.
Ndërsa oferta e Iranit ishte marramendëse, Berisha ka përdorur pushtetin e tij korruptiv për bllokimin e projektit që do pavarësonte Evropën nga gazi rus. Burime tepër konfidenciale dhe të besueshme thonë se Sali Berisha, i mbështetur edhe nga Ilir Meta, ka marrë një mesazh verbal të drejtpërdrejtë nga CIA amerikane.
Berisha është paralajmëruar se e priste një ndëshkim spektakolar nëse nuk tërhiqej menjëherë nga pazaret me Iranin. “Të varim me veshë në tavan”, mësohet se ka qenë mesazhi. Pra duket se klanet ruse dhe iraniane kanë lobuar shumë fort te Sali Berisha dhe në të vërtetë kanë qenë amerikanët ata që i kanë ndaluar pazaret dhe jo ish-kryeministri.
Shqipëria mes Rusisë dhe SHBA për gazin
Ndërkohë nga ana tjetër edhe kabllogramet nga Athina dhe Roma hedhin dritë mbi përpjekjet e Rusisë për të kontrolluar tubacionet. Qeveria shqiptare është angazhuar gjatë pesë viteve të fundit në mbështetjen e disa projekteve të gazit që mund të kalojnë në vendin tonë, duke mbështetur ose duke hyrë në marrëdhënie me kompani që, sipas disa kabllogrameve diplomatike amerikane, kanë lidhje shqetësuese me Rusinë dhe Iranin.
Kabllograme të ndryshme të ambasadave të SHBA-së në Athinë e Romë, tregojnë se disa nga këto projekte “shkojnë kundër përpjekjeve të qeverisë të Shteteve të Bashkuara për diversifikimin e burimeve të gazit në Europë”. Kabllogramet hedhin dritë mbi faktin se qeveria shqiptare është treguar e gatshme të ofrojë mbështetjen e vet për çfarëdolloj projekti, pavarësisht nëse projekti përbënte apo jo interes për diversifikimin e tregut të gazit.
Asnjëri prej projekteve që Shqipëria përqafoi me entuziazëm nuk ka nisur të ndërtohet e disa janë harruar tashmë, por kabllogramet hedhin dritë mbi prapaskenat e këtyre projekteve, si dhe kompanitë që i nxitën ato. Beteja për gazin u zhvillua mes viteve 2006 dhe 2009, ndërsa me fillimin e krizës botërore, duket se gjërat kanë rënë në qetësi. Dy qenë shqetësimet e SHBA-së gjatë kësaj periudhe: Rusia dhe Irani.
Shqipëria e refuzoi në vitin 2006 projektin e naftësjellësit AMBO, një interes amerikan ky, zyrtarisht për shkak të shqetësimeve për ndotjen e mundshme ambientale në gjirin e Vlorës, ndërsa përkrahu pak më vonë projektet ASG dhe EGL/TAP, ku i pari qe një interes i shpallur i SHBA-së, ndërsa i dyti shpesh u bë shqetësim serioz për diplomacinë amerikane.
Konteksti gjeopolitik
Bashkimi Europian është aktualisht nën varësinë e gazit dhe tubacioneve të Rusisë për të furnizuar ekonominë e vet me energji, ndërkohë që pas konfliktit të fundit Rusi-Ukrainë po bëhen përpjekje të shumta për të reduktuar këtë varësi.
Brukseli nga njëra anë dëshiron të ndërtojë 10 impiante degazifikimi në brigjet e veta, ku mund të përpunohet gazi i lëngshëm i transportuar me anije dhe nga ana tjetër, dëshiron të ndërtojë një korridor të ri të transportit, që ka filluar të quhet “korridori i jugut” dhe konsiston në ndërtimin e tubacioneve për transportimin e gazit të rajonit të Kaspikut përmes Greqisë dhe Ballkanit në drejtim në Europës Qendrore.
Korridori i Jugut u shpall interes zyrtar i Bashkimit Europian në vitin 2007, por vetëm pak muaj më vonë, Gjermania dhe Austria lidhën marrëveshje alternative me Rusinë, pasi besonin se Korridori i Jugut qe tepër i komplikuar për t’u bërë realitet. Ndërkohë, Rusia lëvizi për të sabotuar çdo përpjekje të BE-së për të shpëtuar nga monopoli i saj.
“Copelouzos” dhe “Gazprom”
Një kabllogramë e marsit 2007 e ambasadorit të SHBA-së në Athinë Charles P. Ries me kod 07ATHENS649 e klasifikuar si konfidenciale, raporton se kompania greke “Copelouzos” ndoshta është asgjë tjetër veç “Gazprom”-it me një emër tjetër.
Gjiganti rus i gazit “Gazprom”, është i njohur për faktin se kontrollon një pjesë të madhe të tregut europian, si dhe për faktin se Kremlini e përdor këtë pozicion shumë shpesh si masë presioni ndaj BE-së. Kryeministri Sali Berisha nënshkroi një marrëveshje bashkëpunimi me “Gazprom” në vjeshtën e vitit 2007, afro gjashtë muaj pasi ambasadori amerikan në Greqi pati shkruar raportin e tij ku rezultonte se planet e “Gazprom” dhe “Copelouzos” qenë në kundërshtim me interesat amerikane (dhe natyrisht ato të BE-së).
“Dimitrios Copelouzos, themeluesi dhe drejtori i përgjithshëm i “Copelouzos Group”, ka arritur të bëhet një lojtar kyç në tregun rajonal të energjisë në një numër të rëndësishëm projektesh transportimi që përfshijnë naftësjellësin “Burgas Alexandropoulos”, si dhe gazsjellësin Greqi-Itali.
Një degëzim i këtij gazsjellësi i quajtur “Degëzimi i Maqedonisë Perëndimore” do të furnizojë një termocentral që është planifikuar të ndërtohet në Korçë, të Shqipërisë. Ai është gjithashtu duke bashkëpunuar me një kompani zvicerane, EGL (themeluese e TAP) për të ndërtuar një gazsjellës ballkanik që do të transportojë gaz ndoshta nga Rusia për në Itali duke kaluar nga Greqia dhe Shqipëria”, thuhet në kabllogramë.
“Copelouzos është vendosur në pozicion strategjik për të ndikuar tregun e gazit natyror në Greqi në mbështetje të “Prometheus Gaz”, e cila operon si një zgjatim i rrjetit të “Gazprom”. Ka një shqetësim në rritje mbi aktivitetin e “Copelouzos” që u shërben interesave të Rusisë dhe rrezikon përpjekjet e qeverisë së Shteteve të Bashkuara për të promovuar diversifikimin e furnizimit të tregut të energjisë në Greqi dhe rajonin përreth.
Ambasada është e shqetësuar se “Copelouzos” dhe “Prometheus Gas” po kërcejnë një muzikë të vënë nga “Gazprom” dhe se që të tria janë angazhuar për të ruajtur monopolin virtual të Rusisë në tregun e gazit në Europë. Ato po punojnë për të minuar çdo përpjekje për të sjellë konkurrencë në tregun grek”, komentonte ambasadori i SHBA-së në Greqi, Charles P. Ries në vitin 2007.