Në dhjetor pritet të vuloset aleanca zyrtare mes presidentit Ilir Meta dhe ish-kryeministrit Sali Berisha. Këta të fundit janë bërë bashkë kundër kreut të Partisë Demokratike,
Lulzim Basha, me qëllimi rrëzimin e tij nga drejtimi i selisë blu. Vetë ish-kryeministri Berisha ka nisur një tur takimesh në bazë dhe ndërkohë në 11 dhjetor ka thirrur Kuvendin Kombëtar të PD për të zhbërë vendimin e përjashtimit nga grupi parlamentar demokrat nga zoti Basha. Basha ka deklaruar se në këtë ofensivë Berisha mbështetet në prapavijë nga Lëvizja Socialiste për Integrim dhe presidenti Meta.
Por këto lëvizje dhe pozicionimi i dyshes Berisha-Meta kundër Bashës, pritet t’i hapë rrugë edhe një zyrtarizimi të koalicionit PD-LSI, nëse ish-kryeministri merr drejtimin e Partisë Demokratike. Kështu, në dhjetor Partinë Demokratike dhe Lëvizjen Socialiste për Integrim e presin shumë zhvillime, ku fillimisht Berisha mbledh Kuvendin e PD në 11 dhjetor për të shkarkuar zotin Basha, ndërsa 4 ditë më pas vëmendja shkon tek LSI, pasi kjo parti mbledh Konventën e saj në datën 15 dhjetor.
Mirëpo, nëse planet ecin si duhet dhe në krye të PD vjen Berisha, gjasat janë që muajin tjetër të zyrtarizohet koalicioni mes këtyre dy partive. Pra pas përfundimit të procesit të brendshëm në Lëvizjen Socialiste për Integrim dhe mbylljes së procesit, shenjat janë se Ilir Meta dhe Sali Berisha do të bashkëpunojnë me njëri-tjetrin, gjithmonë nëse ish-kryeministri i merr frenat e partisë kryedemokratit Basha.
Meta aksion për të marrë frenat e opozitës
Por një arsye tjetër se përse Berisha dhe Meta mund të shkojnë drejt një aleance zyrtare nëse planet shkojnë sipas llogarive të tyre, është edhe fakti se kreu aktual i shtetit nuk e ka mohuar dëshirën për të marrë drejtimin e opozitës. Sot që flasim Lëvizja Socialiste për Integrim është shkëputur dukshëm nga Partia Demokratike, e madje këto dy parti tanimë shihen si armike.
Ndërkohë Basha ka prerë çdo bashkëpunim me këtë forcë politike, ndërsa i ka mbyllur derën Metës, që dikur e paralajmëronte se do t’ia merrte drejtimin e opozitës. Kështu që rikthimi i presidentit Meta në politikën aktive do t’i jepte atij mundësinë të merrte drejtimin e opozitës, pasi një ndihmë jo pak të vogël kreut të shtetit do t’ia japë edhe Sali Berisha nëse gjithmonë do të jetë kryetari i ri i PD pas 11 dhjetorit.
Pra në kushtet kur Berisha më shumë betejën e ka me Bashën dhe mosha e tij nuk është më ajo e para, gjasat janë që drejtimin e opozitës ta marrë Ilir Meta. Thënë ndryshe të gjitha këto lëvizje publike dhe kulisa po bëhen me qëllimin e vetëm që të rrëzohet Basha nga drejtimi i Partisë Demokratike dhe më pas kjo gjë i hap rrugë zyrtarizmit të aleancës Meta-Berisha.
Megjithatë, katapultimi i Metës në krye të opozitës nuk varet vetëm nga rikthimi i Berishës në krye të PD, pasi ai varet disi edhe nga Gjykata Kushtetuese, e cila pritet të vendosë nëse shkarkimi i tij nga posti i presidentit nga Parlamenti do mbetet në fuqi apo do të rrëzohet. Kjo do të thotë se nëse ai nuk shkarkohet, do të shtyhet edhe për disa muaj marrja e frenave të kreut të opozitës. /Rigels Seliman