Qeveria ka dorëzuar emrat e tre kandidatëve për pozicionin e gjyqtarit të Shqipërisë në Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut. Komisioni ka përzgjedhur; Darian Pavlin, Marjana Seminin dhe Sokol Berberin, i cili është zgjedhur në të tria herët që qeveria ka realizuar listën për në Strasburg.
Emrat e tre kandidatëve u përzgjodhën nga komisioni ad-hoc mes 16 aplikantëve. Tashmë lista me tre emrat do i dorëzohet Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës për emrin e gjyqtarit të Shqipërisë në Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut.
Lista me tre kandidatët u dërgua për konsultim, mbi përshtatshmërinë e kandidatëve, pranë Panelit Këshillues të Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës. Kjo listë i dërgohet Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, për procedura të mëtejshme.
Ja kush janë tre kandidatët?
Darian Pavli – jurist me 15 vjet përvojë në disenjimin, koordinimin dhe zbatimin e aktiviteteve që promovojnë mbrojtjen e të drejtave të njeriut në Nju-Jork, Tiranë (Open Society Justice Initiative, Human Rights Ëatch), përfshirë rajonin e Këshillit të Evropës, ekspert ligjor pranë EURALIUS V, këshilltar i Komisionit të Posaçëm Parlamentar i Reformës në Drejtësi, përfaqësim të disa çështjeve në GJEDNJ.
Marjana Semini – juriste me përvojë të spikatur në fushën e së drejtës; mbajtëse e titullit “Profesor i asociuar”, profesore e brendshme në Shkollën e Magjistraturës për 20 vjet dhe drejtore e saj (2009-2013), eksperte e lartë e Komisionit të Reformës Ligjore, si dhe e organizatave të huaja (USAID, BB, UNESCO, BERZH etj.), specializime për të drejtat e njeriut, autore dhe bashkautore e disa botimeve.
Sokol Berberi – jurist me përvojë të spikatur në fushën e së drejtës, anëtar i Gjykatës Kushtetuese (prill 2007 – shtator 2016), mbajtës i titullit “Doktor”, profesor në disa disiplina të së drejtës, kontribuues në përafrimin e legjislacionit shqiptar me Konventën Evropiane të të Drejtave të Njeriut etj.