Ish-presidenti Ilir Meta duket se është një hap larg burgut sa i takon skandalit me lobimin 700 mijë dollarë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës përmes kompanive “offshore” apo siç njihen ndryshe “guaskë”.
Bëhet fjalë për dy artikuj të mediave të njohura “Mother Jones” (25 prill 2018) dhe “Kronen Zeitung” në 16 maj, të cilat raportuan se LSI ka paguar një kompani “offshore” qipriote “Dorelita Limited”, e cila financonte një firmë tjetër në pronësi të ish-senatorit republikan amerikan Hoëard “Buck” McKeon dhe ish-kryetar i Dhomës së Komitetit Shërbimit të armatosur.
Ky i fundit do të përpiqej të ndikonte në Departamentin Amerikan të Shtetit në mënyrë që LSI të fitonte akses dhe mbështetje nga SHBA. “Kronen Zeitung” raportoi Se LSI ofroi për 700 mijë dollarë lobime po nga kompania e sipërpërmendur qipriote me qëllim që kjo e fundit të siguronte ftesë dhe foto të Metës për ceremoninë e inaugurimit të Donald Trump si president i 45-të i SHBA në 20 janar 2017 (Meta atë kohë ishte kryetar Parlamenti).
Në lidhje me këto lobime, sot që flasim zoti Meta është vënë nën hetim nga Struktura e Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, pasi ish-deputeti Halit Valteri ka bërë disa kallëzime kundrejt tij dhe ish-funksionarëve të lartë të ish-Lëvizjes Socialiste për Integrim. Por gazeta “SOT” ka mësuar se hetimet për këtë dosje të “nxehtë” kanë avancuar.
Mësohet se Struktura e Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit në kuadër te hetimit nisur ndaj ish-presidentit Ilir Meta kërkon të dhëna nga departamenti FARA, ku janë regjistruar kompanitë e lobimit në ministrinë e Drejtësisë dhe Prokurorit të Përgjithshëm në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Mësohet se SPAK ka hartuar disa pyetje të kthyera tashmë në një letër porosi nga Ministria e Drejtësisë, dokument ky i cili është përkthyer dhe nisur përmes postës diplomatike në SHBA.
Përmes kësaj letër porosie, Prokuroria e Posaçme, synon të marrë informacion për pagesat e bëra nga Lëvizja Socialiste për Integrim për lobim në SHBA. Kjo lëvizje, në rast se do të rezultojë e suksesshme do të kthehet në “dhimbje koke” për Ilir Metën, pasi në rast se provat e publikuar nga mediat rezultojnë të vërtetat dhe kryetar i Partisë së Lirisë ka shkelur ligjet amerikanë, ai rrezikon deri në 15 vjet, referuar këtu edhe akuzave që rëndojnë mbi të, sikundër janë pastrim parash, korrupsion, deklarim i rremë, etj. Pra, “fati” i Ilir Metës është në dorë të Prokurorit të Përgjithshëm, Ministrisë së Drejtësisë dhe ligji “FARA”.
Ja çfarë është FARA
Po çfarë është Akti i Regjistrimit të Agjentëve të Huaj (FARA). Ky i fundit është një ligj i Shteteve të Bashkuara që imponon kërkesa për zbulim publik dhe detyrime të tjera ligjore për personat që përfaqësojnë interesa të huaja. Sipas FARA, “agjentët e huaj”, të përkufizuar gjerësisht si individë dhe entitete të angazhuar në punë të brendshme politike ose avokuese në emër të qeverive, organizatave ose personave të huaj (“drejtorë të huaj”), duhet të regjistrohen në Departamentin e Drejtësisë (DD) dhe të zbulojë marrëdhëniet e tyre, aktivitetet dhe kompensimin financiar përkatës.
Qëllimi i FARA është të promovojë transparencën në lidhje me ndikimin e huaj mbi opinionin publik amerikan, politikat dhe ligjet; DD-së i kërkohet që ta bëjë këtë informacion publikisht. Ai u miratua në vitin 1938 kryesisht për të kundërshtuar propagandën naziste, me një fokus fillestar në ndjekjen penale të aktiviteteve subversive; që nga viti 1966, zbatimi është zhvendosur kryesisht në dënimet civile dhe pajtueshmërinë vullnetare. [6] Që nga viti 2017, FARA ka qenë subjekt i një shqyrtimi më të madh publik, politik dhe ligjor, si dhe thirrjeve për reforma, pas disa rasteve të profilit të lartë që përfshijnë shkelës të dyshuar ose të dënuar.
FARA administrohet dhe zbatohet nga Njësia FARA e Seksionit të Kundërzbulimit dhe Kontrollit të Eksportit (CES) brenda Divizionit të Sigurisë Kombëtare të DD-së (NSD). [7] [8] Në vitin 2007, DD raportoi se kishte rreth 1700 lobistë që përfaqësonin më shumë se 100 vende përpara Kongresit, Shtëpisë së Bardhë dhe agjencive federale , jo të gjithë prej të cilëve ishin të regjistruar nën FARA. Që nga viti 2016, ka pasur një rritje prej 30 për qind të numrit të regjistrimeve; që nga shtatori 2022, kishte 501 agjentë të huaj aktivë të regjistruar në Njësinë FARA
Publikimi i skandalit nga gazeta austriake dhe hetimet për Metën
Struktura e Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit ka vënë nën hetim ish-presidentin Ilir Meta, pas kallëzimit të ish-deputetit Halit Valteri, i cili pretendon se për llogari të Lëvizjes Socialiste për Integrim, janë shpenzuar 700.000 dollarë por të padeklaruara për qëllime lobimi.
Dërgimi letër porosisë në USA vjen pas disa veprimeve hetimore në Shqipëri si kërkesa dërguar KQZ për të patur një kopje të formularit të dekriminalizimit të Ilir Metës, po ashtu edhe të dhënat e certifikatës familje të zotit Meta. Ish-presidenti tashmë kreu Partisë së Lirisë në javët në vazhdim me të gjitha gjasat do të thirret të dëshmojë në SPAK bashkë me Petrit Vasilin, i cili drejtonte LSI në kohën kur ka ndodhur ky lobim i pretenduar i padeklaruar. Për këtë lobim fillimisht shkruajti revista amerikane Mother Jones.
Ndërsa më 16 maj, gazeta austriake “Kronen Zeitung” publikoi një artikull sipas së cilës Ilir Meta për të siguruar një foto në ceremoninë e inaugurimit të Donald Trump pagoi 700 mijë dollarë për lobim përmes një kompanie qipriote guaskë. Vetë Ilir Meta ka hedhur poshtë akuzat për një lobim të tillë dhe premtoi dorëzimin e një padie për shpifje ndaj gazetës austriake. /Rigels Seliman