Dalin në dritë detajet e mekanizmit që përdorën amerikanët për të detyruar Bashën të largojë Berishën, por dhe për të zbutur qëndrimet e këtij të fundit. Basha në takimin me deputetët përmendi disa informacione sekrete ndërsa tha se largimi i tij ishte më i mirë për të dhe familjen e Berishës. Por ka qenë vetë ish-kryeministri Berisha ai, i cili ka hedhur dritë mbi atë se çfarë e kanë paralajmëruar amerikanët. Të hënën ai foli në një studio televizive mbi këtë çështje.
Gazeta një ditë më parë publikoi një pjesë të deklaratës së Berishës, mirëpo në këtë intervistë ai ka hedhur dritë dhe mbi sanksionet që rrezikoheshin ndaj tij. Berisha ka thënë se mund të akuzohej për konspiracion ndaj SHBA, duke qenë se ka sulmuar ish-zv/ndihmës Sekretarin e Shtetit, Matthew Palmer.
Duhet theksuar se Berisha sulmoi Palmerin duke thënë se ai ka gruan serbe dhe kërkon të copëtojë Kosovën. Po ashtu familja e tij rrezikonte të shpallej grup kriminal dhe SHBA mund të nxirrte provat e korrupsionit. “Sanksione ishin që mund të quhesha grup kriminal, mund të më quanin ç’të donin. Nëse fillojnë sanksionet për konspiracion kundër politikës së SHBA dhe meqë vdiq ajo, unë meritoj lavdërim për ato qëndrime, nëse i keni parasysh ato që ka vendosur presidenti Biden. Më pas kalohet te korrupsioni dhe i thuhet që Berisha i di provat”, ka thënë Berisha në deklaratën e tij.
Po ashtu ai në intervistë tregoi se si u njoh nga Basha me paralajmërimet e SHBA. “Ata i kishin thënë që nëse Berisha kështu dhe ashtu, atëherë sanksionet do të rëndohen tek fëmijët dhe te këto dhe ato. I thashë ç’të doni bëni. Jam ky që jam dhe ne kemi një qëndrim sepse ishte një gjë aty me thënë të drejtën, kuptova që çështja ishte të më mbyllej goja dhe mua nuk më mbyllet goja. Jo po pse ka thanë për Palmerin. Unë Palmerin kisha përmendur dhe kisha përmendur dhe Soros. Nuk e përmenda vetëm unë se kjo është e njohur”, tha ai.
Zbutja e Berishës
Ajo që bie në sy në qëndrimet e Berishës dhe deklaratat e Bashës, është se ka shumë detaje që nuk dihen për publikun. Amerikanët kanë informuar kreun demokrat me detaje të forta, që siç thotë Berisha, më pas është vënë dhe ai në dijeni. Por pasi Basha i përmendi familjen dhe informacionet sekrete, Berisha është zbutur totalisht.
Ditën kur Basha e përjashtoi ai nisi një mori sulmesh dhe paralajmëroi nisjen e procesit për largimin e kryetarit. Por më vonë qëndrimet e tij u zbutën. Mbështetësit e tij heshtën, ndërsa vetë Berisha të hënën tha se nuk ka si qëllim të largojë Bashën. Ai do të dalë në bazë për të nxitur mbajtjen e një referendumi, i cili do të shpallë të pavlefshëm përjashtimin e tij. Berisha pretendon se u shkel statuti dhe kërkon zbatimin e tij. Pra ndryshe nga sa deklaronte se Rama-Basha janë bashkë, pasi ju përmend dosja sekrete ndryshoi totalisht qëndrim. Sinjalet janë se kjo dosje ka shumë elemente brenda që trembin ish-kryeministrin.