Ish-kryeministri Sali Berisha ka vendosur të përdorë “kartën” e George Soros në luftën me SHBA. Amerikanët e shpallën të padëshiruar dhe Berisha vendosi të bëjë një padi në Francë kundër Sekretarit Blinken, me argumentin se akuzat ndaj tij janë formuluar nga keqinformimet e George Soros.
Ish-kryeministri e cilëson atë si armik të tij, por sa qëndrojnë pretendimet e tij? Berisha akuzohet nga SHBA se është përfshirë në korrupsion kur ishte kryeministër dhe president.
Nëse kthehemi pas në kohë, rezulton se kur Berisha ishte president i hapi rrugën George Soros të futej në Shqipëri përmes fondacionit të tij. Ndërkohë kur ishte kryeministër e mbështeti fort veprimtarinë e tij. Gazeta “Sot” shumë vite më parë ka qenë vetmja që ka denoncuar skandalet e George Soros.
Themelimi i Fondacionit Soros dhe manovrat
Fondacioni Shoqëria e Hapur për Shqipërinë u themelua në vitin 1994 në vendin tonë. Këtë vit president ishte Sali Berisha, i cili mundësoi krijimin e tij. Por sapo ai erdhi në pushtet në vitin 2008, mbështeti sërish këtë fondacion.
Në vitin 1998 George Soros krijoi Fondacionin Besa, i cili do të operonte si një entitet juridik, si organizatë joqeveritare, jo politike dhe jo fitimprurëse, në përputhje me legjislacionin shqiptar. Fondacioni Besa filloi aktivitetin e tij në maj 1999 me V.K.M, Nr.207 datë 28.04.1999 kur projekti i Mikrokredisë Urbane u transferua tek Fondacioni BESA me themelues Fondacionin SOROS. Në vitin 1999, qeveria shqiptare i transferoi 309,864,911.50 lekë (mbi 3 milionë dollarë) asete të Fondit Shqiptar të Zhvillimit (institucion shtetëror) Fondacionit Besa.
Në vitet 2004-2006, Fondacioni Besa ka marrë një kredi nga Agjencia Spanjolle për Kooperim dhe Bashkëpunim në vlerë 7 milionë Euro. Këto fonde janë ndërmjetësuar nga Qeveria Shqiptare. Por në kushtet e konsolidimit të aktivitetit të institucionit, Bordi i fondi BESA dhe Themeluesi (OSF-A) në Qershor 2008 vendosi të aprovoje planin e transformimit të fondit BESA nga statusi OJQ në një status të ri ligjor si shoqëri aksionare.
Bordi ekzekutiv i Soros, vendosi që përveç Fondacionit Besa, të krijohen edhe: Fondacioni “ABC” (Albanian Besa Capital) dhe Fondi “Besa” sh.a. Qeveria shqiptare, e përfaqësuar në këtë rast nga Ministri i Financave, z. Ridvan Bode, ra dakord që të gjitha detyrimet dhe të drejtat që Fondacioni Besa kishte me qeverinë shqiptare të kalonin te Fondi Besa sh.a.
Pra në këtë kohë doli emri i Ridvan Bodes. Kjo njohje shtetërore e kalimit të detyrimeve të një fondacioni drejt një biznesi është një rast i paprecedent juridik dhe financiar në historinë e financave shqiptare. Pra nuk ka se si një fondacion të kalojë kapitalet dhe detyrimet te një biznes. Ndërkohë borxhet miliona dollarë u paguan nga taksat e shqiptarëve.
Ndihma e Fullanit
Ndërkohë, mbështetje u dha dhe nga ish-guvernatori Ardian Fullani, i cili lejoi që Fondi Besa të operonte për shumë kohë pa licencë. Ky institucion nga 1 qershori i vitit 2007 deri në datën 31 dhjetor të vitit 2008 ka ushtruar aktivitetin e tij në territorin e Shqipërisë i palicencuar nga Banka e Shqipërisë, sipas ligjit nr. 9662 të miratuar nga Parlamenti Shqiptar.
Fillimisht Banka e Shqipërisë në atë kohë njoftoi se Fondi Besa ishte subjekt në pritje licencimi, ndërsa në datën 11 janar 2009, në listën e subjekteve financiare BSH ka shtuar dhe emrin e Besa sh.a, si një subjekt që ishte licencuar në dt. 26 dhjetor 2008. Sipas investigimit të gazetës, rezulton se mbledhja e fundit e Këshillit Mbikëqyrës së Bankës së Shqipërisë ka ndodhur në dt. 24 dhjetor 2008.
Nuk ka pasur asnjë mbledhje të Këshillit Mbikëqyrës në dt. 26 dhjetor që i jep licencën nr. 10 Besa sh.a., dhe nuk ekzistonte asnjë vendim i këtij Këshilli për dhënien e kësaj licence. Por pavarësisht manovrave, fondi vijon të funksionojë edhe sot.