Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë ndërprerë çdo lloj kontakti me Presidentin e Republikës në Shqipëri. Pas përplasjes mes Ilir Metës dhe ambasadores Yuri Kim dy ditë para zgjedhjeve të 25 prillit, asnjë zyrtar nuk ka takuar Metën, ndërkohë që ky i fundit është përjashtuar dhe nga aktivitetet e organizuara nga amerikanët në vendin tonë. Rasti më fundit ishte ditën e premte.
Në vendin tonë, javën që lamë pas mbërriti anija e famshme amerikane “Truman” dhe ajo u vizitua nga ambasadorja amerikane Yuri Kim, përfaqësues të Ministrisë së Mbrojtjes, kryeministri dhe përfaqësues të Shtabit të Forcave të Armatosura.
Por sipas burimeve, nuk ka pasur asnjë ftesë për presidentin Ilir Meta, i cili në fakt duhet të ishte personi i parë që duhej të ftohej sepse ai është Komandanti i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura. Anija në fjalë është ndër më të rëndësishmet në SHBA dhe mbërritja në ujërat shqiptare është bërë lajm edhe në mediat amerikane.
Por teksa aty ishin përfaqësues të qeverisë dhe ushtrisë, ndërkohë që mungonte Komandanti i Forcave të Armatosura tregon se amerikanët i kanë bërë dalje presidentit. Nuk duhet harruar se gjatë stërvitjes “Defender 2021”, u zhvillua një eveniment i ngjashëm ku sërish Meta nuk u lejua të hipte në anijen kryesore ku ishin gjeneralët amerikanë.
Influenca ruse
Por pse amerikanët nuk pranojnë presidentin në asnjë aktivitet ushtarak? Dyshimet janë për shkak të rusëve. SHBA po investon fort në vendin tonë për të ndalur influencën e Moskës, ndërkohë që faktet tregojnë se politikani që nuk ka kritikuar kurrë rusët është presidenti.
Ky i fundit madje në shumë raste ka mohuar ndikimin rus dhe është tallur madje me amerikanët duke i akuzuar se po sillen si Enver Hoxha kur fliste për konspiracion amerikan. Pra duket se amerikanët kanë informacion për çdo qëndrim të presidentit dhe ai është përjashtuar nga evenimentet ushtarake ku padyshim ka sekrete shtetërore.
Njoftimi i ambasadës
Ishte ambasada amerikane ajo e cila njoftoi mbi mbërritjen e anijes “Truman” dhe personalitete që ishin ftuar ta vizitonin. “Në frymën e bashkëpunimit të ngushtë midis Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë, dhe si aleatë të NATO-s, aeroplanmbajtësja USS Harry S. Truman e Marinës së Shteteve të Bashkuara dhe ekuipazhi i saj mirëpritën Kryeministrin shqiptar Edi Rama, Ambasadoren e Shteteve të Bashkuara Yuri Kim, Ministrin e Mbrojtjes Niko Peleshi, Ministren e Jashtme Olta Xhaçka, Shefin e Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Shqipërisë Gjeneral Major Bajram Begaj, drejtues të lartë shqiptarë civilë, ushtarakë dhe rinorë, si të ftuar të veçantë në bordin e saj.
Delegacioni shqiptar pati mundësinë e rrallë për të parë operacionet e fluturimit në kuvertën e fluturimit dhe gjithashtu u takuan me Makinistin e Klasit 2 Albi Jakova, nga Orlando, Florida, familja e të cilit është shqiptare.
Ambasadorja Kim pati gjithashtu mundësinë të takonte marinarë nga vendlindja e saj në Guam”, njoftoi ambasada. Sipas saj, kjo vizitë ishte një tjetër piketë në marrëdhëniet në fushën e mbrojtjes midis Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë, ndërsa në 2022-in shënojmë 100 vjetorin e marrëdhënies sonë.
Ja si Meta mohonte ndikimin rus
Pak kohë më parë pati debate në vend mbi ndikimin rus, por presidenti doli kundër SHBA dhe qeverisë duke deklaruar se nuk ka ndikim rus në Shqipëri. “Ne jemi të ndërgjegjshëm për ndikimet shpesh toksike, për fat të keq, të Rusisë në rajonin tonë, por nuk besoj se ky është një problem në rastin e Shqipërisë. Ne do të donim që Rusia të respektojë zgjedhjen e të gjithë popujve të rajonit për t’u integruar në Bashkimin Europian dhe në NATO, por është e drejta e saj të reagojë ndryshe.
Gjithsesi, nuk duhet ta katandisim rrezikun rus si rrezikun anglo-amerikan në periudhën e së kaluarës, për të fshehur shkaqet e vërteta të kësaj krize kushtetuese, politike, morale, përfaqësimi, të cilat janë të krijuara nga ne dhe kërkojnë reflektim nga të gjithë”, tha Meta./Kliti Topalli