Ish-kryeministri Sali Berisha do e ketë shumë të vështirë të marrë mandatin e deputetit në muajin shtator. Ai e bëri të qartë se nuk ka ndërmend të heqë dorë nga mandati pavarësisht se u shpall i padëshiruar nga amerikanët.
Por pyetja që shtrohet është: A e ka në dorë Berisha marrjen apo jo të mandatit? Vendimi i amerikanëve mund të ishte publikuar në çdo moment, por doli vetëm tani. Dyshimet janë se qëllimi i tyre është që Berisha të mos jetë pjesë e Parlamentit të ri. Nëse shohim deklaratat e ambasadores amerikane Yuri Kim për Tom Doshin, ajo e ka bërë të qartë se amerikanët nuk duan të shohin deputet një individ që akuzohet për korrupsion prej tyre.
Për këtë arsye Berisha duket se do ketë një luftë të fortë për të mbajtur mandatin e tij. Sipas informacioneve, institucionet pritet të vihen në lëvizje kundër tij në kuadër të ligjit të dekriminalizimit. Gazeta ka mësuar se, nëse Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nuk nis procedurat e verifikimit të ligjshmërisë së mandatit të Berishës, do të jenë socialistët ata që do i drejtohen Komisionit dhe do të kërkojnë që atij të mos i jepet mandati në shtator.
Pra duket se do të ndiqet e njëjta skemë që ndoqi PD me Tom Doshin. Ishte PD që vuri në lëvizje KQZ dhe kjo e fundit ka kërkuar të dhëna nga prokuroria. Por duket se precedenti “Doshi” do të fundosë Berishën. Prokuroria e Përgjithshme ka marrë informacione nga ambasada amerikane kundër tij, ndërsa priten të dhënat nga Interpol dhe në fund informacionet do i dërgohen KQZ, e cila do të argumentojë nëse do kemi vendimmarrje.
Por edhe pse Doshi ka dhënë dorëheqjen, pritet që KQZ të marrë një vendim dhe me shumë gjasë do të jetë ai i ndalimit për të kandiduar. Nëse ndodh kjo, atëherë do kemi precedentin që do të sjellë dhe largimin e Berishës.
Parashikimet në ligj
Ligji i dekriminalizimit është fokusuar kryesisht te personat e dënuar, mirëpo ka dhe një përcaktim ku ndalon kandidimin e individëve që janë dëbuar nga shtetet e BE, SHBA, Kanadaja dhe Australia.
Bëhet fjalë për nenin 2, pika 2/b i cili thotë: “Ndalimi i parashikuar nga pika 1, e këtij neni, zbatohet edhe ndaj personave: që janë dëbuar nga territori i një shteti anëtar të BE-së, SHBA-së, Kanadasë, Australisë, në lidhje me një prej rasteve të parashikuara në pikën 1, shkronjat “a”, “b” dhe “c”, të këtij neni, apo janë dëbuar për cenim shumë të rëndë dhe serioz të sigurisë publike të shtetit përkatës”.
Pika 1 që përmendet aty ka të renditura veprat penale që nëse janë kryer nga një individ atij i ndalohet kandidimi. Përveç shumë veprave penale, aty janë dhe nenet 244, 245, 248, 248/a, 259, 260, 319, 319/ç që kanë të bëjnë me korrupsionin.
Nëse shohim vendimin e DASH, Berisha akuzohet për korrupsion. “Akte korrupsioni të ish-Presidentit të Shqipërisë, Sali Berisha, minojnë demokracinë në Shqipëri. Unë shpall publikisht Sali Berishën dhe anëtarët e familjes së tij si të papërshtatshëm për hyrjen në Shtetet e Bashkuara. Ne mbetemi bashkë kundër korrupsionit me partnerët tanë në Shqipëri”, shprehej Sekretari Amerikan i Shtetit. Pra ligji i dekriminalizimit ka hapësira që mundësojnë largimin me forcë të Berishës nga Parlamenti. Precedenti “Doshi” pritet t’i kthehet në bumerang PD-së dhe ai që do e pësojë është ish-kryeministri./Kliti Topalli