Shumë shpejt do të kemi lajme të bujshme në lidhje me aferën CEZ-DIA, pasi Prokuroria e Posaçme pritet të fillojë me “prerjen e kokave” në nivele shumë të larta. Vetë Altin Dumani zbuloi pak javë më parë se kjo është një dosje prioritare në mesin e të gjitha çështjeve që ka në dorë Prokuroria e Posaçme Anti Korrupsion. Burime bëjnë me dije se dosja është qepur nga SPAK dhe në vijim pritet kërkesa për gjykatë.
I rrezikuari kryesor është ish-presidenti Ilir Meta, por gjithashtu mund të fundosen dhe bashkëpunëtorët e tij të cilët ja kanë hedhur pa u lagur për shkak të hetimeve gjysmake nga drejtësia e vjetër. Ditën e djeshme SPAK ka marrë në pyetje Agron Çelën, ish-krahun e djathtë të Ilir Metës. Ky i fundit është thirrur nga Prokuroria e Posaçme për t’u marrë në pyetje për këtë aferë që i ka shkaktuar buxhetit të shtetit një dëm mbi 414 mln euro. Deputeti Agron Çela aktualisht është pjesë e grupit të Partisë Socialiste, por më parë ka qenë deputet i Partisë së Lirisë dhe një nga njerëzit e afërt të Ilir Metës.
Marrja e tij në pyetje ka zgjatur rreth 1 orë e 30 minuta, por teksa doli nga SPAK, Çela tha për gazetarët se nuk di asgjë për këtë proces dhe se ka shkuar në Prokurorinë e Posaçme për punët e tij. Ish-deputeti i PL mohon të jetë pyetur për Ilir Metën dhe tha se ka marrëdhënie të mira me të, por sa i takon Kastriot Ismailjat ai thotë se nuk e njeh. Por çfarë po ndodh në prapaskenë? A po heton SPAK një kontratë që dyshohet se një kompani e Agron Çelës ka pasur me Kastriot Ismailajn? Bëhet fjalë për një shumë marramendëse që dyshohet se Ismailaj i ka transferuar Agron Çelës.
Çfarë ka zbuluar Dritan Prifti?
Disa vite më parë emri i Agron Çelës ishte kryefjalë e lajmeve pas deklaratave “bombastike” të ish-deputetit të ndjerë të së njëjtës parti, Dritan Prifti. Ky i fundit zbuloi se ka dorëzuar dokumente dhe pamje filmike që tregojnë qartë implikimin e tij në aferën CEZ-DIA.
Në ato vite u përfol për një shifër prej 1,5 mln euro. Edhe pse ai tha dje se nuk e njeh Kastriot Ismailajn, Dritan Prifti pretendonte të kundërtën. Ish-ministri i Ekonomisë dhe i Energjisë deri në vitin 2010, dorëzoi fakte në drejtësi që tregonin se si deputetë të LSI-së kanë marrë para nga kompania DIA e Kastriot Ismailajt, e cila ishte caktuar nga CEZ-i për të mbledhur borxhet e OSSHE-së. Prifti, në intervistat televizive është shprehur se këto para janë përdorur nga deputetët e LSI-së për fushatën elektorale të vitit 2011. Në atë kohë ai përmendi me emër dhe mbiemër Agron Çelën. “Nga llogaria e DIA kanë shkuar para drejtpërdrejt për persona që sot janë deputetë të LSI-së. Një prej tyre është deputeti i Shkodrës Agron Çela.
Nga DIA kanë shkuar para për kompaninë e Agron Çelës që sot është deputet i LSI, për arsye se do të bliheshin ca makina, ca motora që nuk u blenë kurrë, por para që kuptohet janë përdorur pastaj për fushatën zgjedhore të vitit 2011”, ka thënë Prifti në atë kohë. Gjithashtu u përfol se dëshmia e ish drejtorit ekzekutiv të DIA tregon sesi kaluan paratë e kësaj kompanie drejt bizneseve të deputetit të LSI-se Agron Çela. Ky i fundit në atë kohë i mohoi akuzat dhe paralajmëroi padi ndaj ish-kolegut të tij të LSI.
“Jam bashkuar me LSI-në në vitin 2013. Për këto shpifje të ndyra të Priftit do ballafaqohem në rrugë ligjore. Mbështes dhe votoj për një hetim të gjithanshëm ndërkombëtar këtë çështje. Prifti e njeh mirë Kastriot Ismaliajn. Kanë punuar bashkë në vitin 1990 dhe kanë qenë miq. Ata zhvatin popullin”, shprehej Çela. Më pas nuk u mor vesh asgjë se çfarë ndodhi, por sinjalet janë se SPAK me rihapjen e kësaj dosje, do zbërthejë të gjitha aferat e tjera që kanë ndodhur. /Elmas Bogdani