Në ditët në vijim priten zhvillime të forta, pasi Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë dhënë sinjale se në Shqipëri do të ketë goditje në nivele të larta.
Mesazhet e koduara nga DASH, kanë alarmuar politikën në Tiranë. Por çfarë po ndodh në prapaskenë? E gjithë lëvizja nga amerikanët nis nga masat radikale për pushtetarët e lartë që rrezikojnë minimin e demokracisë. SHBA përmes Departamenti Amerikan të Shtetit ka aplikuar masa radikale, sikundër është shpallja “non grata”. Sali Berisha cilësohet si rrezik për sigurinë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Por si Berisha në botë ka plot politikanë dhe “bosë” të fuqishëm që SHBA u ka shpallur luftë, ndërkohë që kërkon hetimin dhe arrestimin e tyre për llogari të saj. Njëri prej tyre është ish-presidenti i Hondurasit, Juan Orlando Hernández, i cili pak muaj më parë u ekstradua për në Shtetet e Bashkuara të Amerikës për t’u përballur me akuzat për trafik droge dhe armësh, në një rënie dramatike për një udhëheqës që dikur ishte konsideruar nga autoritetet amerikane si një aleat kyç në luftën kundër drogës.
Mirëpo duke qenë se SHBA-të nuk u ndalën deri sa e ekstraduan për në Amerikës ish-presidentin e Hondurasit, për ta hetuar dhe burgosur atje, pas akuzave të ngritura për të dhe shpalljes “non grata”, gjithkush ngre pyetjen, se a do të ketë të njëjtin fat si zoti Hernández, ish-kryeministri Berisha, duke iu dorëzuar autoriteteve amerikane? Megjithatë mbetet të shihet në ditët në vijim se çfarë do të ndodhë më konkretisht.
Sinjalet nga takimi i treshes së lartë të SPAK
Struktura e Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit duket e vendosur për të çuar para drejtësisë “koka të mëdha” të fuqishme që deri më sot kanë qenë të paprekshëm. Asistenca nga Uashingtoni e bën fakt të kryer. Sinjalet u dhanë në takimin e rëndësishëm të SPAK dhe BKH me ekspertë të lartë të divizionit Penal të Departamentit të Drejtësisë së Shteteve të Bashkuara.
Prokurorët e avokatët e Divizionit Penal që udhëzuan drejtësinë e re shqiptare, ndjekin penalisht shumë raste të rëndësishme kombëtare dhe formulojnë dhe zbatojnë politikën e zbatimit të ligjit. Ata kanë çuar në burg dhe kanë ekstraduar njerëz me pozita shumë të larta të cilët kanë kërcënuar sigurinë e SHBA. Në faqen zyrtare të Divizionit Penal shihen së fundmi raportime për raste ekstradimi, siç ishte çështja 3 “kokave” të rëndësishme nigeriane, të cilët për SHBA ishin kërcënim me skemat e tyre mashtruese.
Ky divizion që ka dhënë asistencë për SPAK, heton dhe çon në ndjekje penale rastet që përfshijnë krimin e organizuar dhe transnacional, dhunën e bandave, mashtrimin e letrave me vlerë, aferat në shëndetësi, shkeljet e ligjit të praktikave korruptive të huaja, korrupsion publik, krim kibernetik, vjedhja e pronës, pastrimi i parave, shkeljet e Aktit të Sekretit Bankar, shfrytëzimi i fëmijëve, trafikimi ndërkombëtar i narkotikëve, shkeljet e të drejtave të njeriut dhe krime të tjera, si dhe çështje që kanë të bëjnë me çështjet ndërkombëtare dhe teknikat e ndjeshme të zbatimit të ligjit.
Mesazhi i koduar i numrit 2 të DASH
Ende vazhdon të bëjë përshtypje ardhja “blic” në Tiranë para pak javësh e zyrtares më të lartë të departamentit të Shtetit, Ambasadores Lisa Johnson, në një kohë zhvillimesh të rëndësishme në vend. Gazeta “SOT” e raportoi se në këtë mes nuk përjashtohet dhe çështja e ekstradimeve. Një mekanizëm i rëndësishëm politik dhe hetimor që ka trazuar e frikësuar kryenarkotrafikantët më të mëdhenj të botës; e për të përmendur tre të tillë: Pablo Esbobar, krerët e kartelit Kali apo El Chapo.
Prej vitit 2020, Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë me Shqipërinë një ligj për ekstradimin, i cili është konsideruar një element shtesë në marrëdhëniet mes palëve, pasi lehtëson të gjitha barrierat që kanë qenë deri më sot në lidhje me ekstradimin në SHBA të të gjithë të kërkuarve nga drejtësia ndërkombëtare. Përmendin këtu ekstradimet pasi nga ajo që vihet re diplomatja Lisa Johnson ka shmangur të gjitha takimet politike në vendin tonë. Kjo lëvizje tregon se gjithë fokusi i amerikanëve ka qenë tek sistemi i drejtësisë shqiptare.
Por ajo ka patur një takim të veçantë me ministrin e Drejtësisë, Ulsi Manja, i cili do të thotë shumë, pasi në këtë mes luhet çështja e nxehtë e ekstradimit. Pasi, një i korruptuar apo kriminel në Shqipëri për tu ekstraduar, varet në dorën e Ministrisë së Drejtësisë. Por çështja është kush e ka radhën sot për tu ekstraduar? Takimi i numrit 2 të DASH me ministrin e Drejtësisë shqiptare një sinjal që kemi të bëjmë me çështje të afërta ekstraduese.
“Foltorja” në alarm
Ndërkohë, sinjalet e forta nga amerikanët kanë vënë nën alarm politikanët shqiptarë. Në panik është shfaqur së fundmi “Foltorja”. Deputeti i PD-së, Tritan Shehu, një nga besnikët e Sali Berishës ka bërë së fundmi një deklaratë të papritur. Ai ka thënë se nuk është çudi që ndonjë ditë të nisin arrestimet e deputetëve opozitarë, pasi sipas tij po shkojmë drejt një diktature. “Ndonjë ditë dhe mund të arrestohen deputetë e opozitës, po shkojmë drejt një diktature. Jemi në pragun e viteve ’45. Problemet dhe rreziqet janë për demokracinë shqiptare jo për individët. Këto përballohen vetëm me lëvizjen popullore. Ky regjim shembet, përballet, bllokohet vetëm me lëvizje popullore”, është shprehur Tritan Shehu.