Departamenti Amerikan i Shteti duket se ka rreth 12 vite që punon me mbledhjen e fakteve për ish-kryeministrin Sali Berisha.
Ky i fundit u shpall person “non grata” dhe akuzon George Soros dhe “mediat e qeverisë” se kanë keqinformuar amerikanët, mirëpo gazeta ka siguruar fakte që tregojnë se DASH ka nisur që para viteve 2008 të mbledhë fakte kundër Berishës.
Në vendimin e sekretarit Blinken thuhet shprehimisht se Berisha ka përdorur pushtetin për të pasuruar familjen dhe aleatët e tij. Por fiks i njëjti qëndrim është mbajtur që në vitin 2009, nga ish-ambasadori John Withers. Gazeta ka kryer një hulumtim në kabllogramet e publikuara nga Wikileaks dhe në shumë prej tyre, flitet pikërisht se Berisha ka përdorur pushtetin për të pasuruar veten dhe familjarët e tij.
Në një kabllogram të datës 10 shkurt 2009, tregohet se dhëndri i ish-kryeministrit, Jamarbër Malltezi urdhëroi prishjen e banesave në Jalë duke keqpërdorur fondet e Bankës Botërore. “Në fund të janarit 2009 Parlamenti shqiptar dhe shtypi nisën të akuzonin qeverinë shqiptare dhe veçanërisht dhëndrin e kryeministrit Sali Berisha, Jamarbër Malltezi, për keqpërdorimin e fondeve të projektit të Bankës Botërore për qëllime personale.
BB ndaloi projektin dhe hetoi skandalin në qendër të të cilit ndodhet prishja me dhunë e disa ndërtesave në Jalë në vitin 2007 në kundërshtim me politikat e Bankës Botërore. Paneli i Inspektimit i Bankës Botërore e konsideron çështjen si “një nga hetimet më të vështira që është ndërmarrë këto 14 vitet e fundit”.
Skandali është rreth projektit të BB-së “Për menaxhimin e strukturuar të bregdetit të jugut”, i drejtuar nga dhëndri i Berishës, Malltezi… Banka Botërore pranoi të financonte projektin pasi mori garanci nga qeveria Berisha se asnjë ndërtesë nuk do të prishej.
Por në 26 mars 2007, Malltezi dërgoi një letër tek autoritetet lokale, përfshirë edhe kreun e Policisë Ndërtimore, për t’u ankuar mbi “ndërtimet pa leje në bregdetin e jugut”, veçanërisht në Jalë”, thuhet në kabllogram. Sipas burimeve SHBA si prova ka edhe biseda telefonike, llogari bankare, transferta dhe detaje të tjera që kopsitin dosjen e Berishës.
Berisha pasuroi veten dhe familjen
Më tej në këtë dokument thuhet pikërisht ajo që deklarohet dhe në vendimin e DASH. Në kabllogram theksohet se Berisha përdori pushtetin për të pasuruar veten dhe familjen. “Vetëm pesë muaj përpara zgjedhjeve të përgjithshme, një tjetër skandal korrupsioni (përveç atij të Gërdecit, rrugës Durrës-Kukës dhe marrëveshjeve me biznesmenin hije nga Bosnja, Damir Fazlliç), dobëson edhe më shumë imazhin e Berishës si njeri kundër korrupsionit dhe shton perceptimin publik se kryeministri, familja e tij dhe rrethi i ngushtë po përdorin pushtetin për t’u pasuruar”, thekson kabllogrami.
Rruga Durrës-Kukës
Një dëshmi tronditëse vjen nga përdorimi që i është bërë rrugës Durrës-Kukës për interesa thelbësisht elektorale, pa kursyer rrezikimin e jetëve njerëzore dhe koston që duhej paguar. Një nga telegramet e zotit Withers konfirmon se dy drejtues të konsorciumit Bechtel-Enka kanë kërkuar që tunelet të hapen në tetor të vitit 2009, ndërsa kryeministri Berisha insistonte që një gjë e tillë të ndodhte në qershor. Arsyeja: fushata elektorale.
Kundërarsyeja logjike: nuk kanë përfunduar punimet, rrezikohen jetë njerëzish dhe rritet kostoja me të paktën 15 milionë dollarë. Të paktën pjesa e dytë u verifikua dyfish, punimet që u bënë në tunel morën 30 milionë dollarë më shumë për shkak të këmbënguljes së zotit Berisha.
Nëse shihen të gjitha kabllogramet flitet më pas për Gërdecin, për Rrugën e Kombit dhe shumë skandale të tjera, të cilat sipas amerikanëve pasuruan Berishën dhe familjen e tij. Këto fakte tregojnë se dosja ka nisur të bëhet gati që kur Berisha ishte në pushtet dhe madje në këtë vit ai ka pasur raporte shumë të mira me Soros. /Kliti Topalli