Në një intervistë për Zëri i Amerikës, ambasadorja Yuri Kim ka folur për korrupsionin dhe për ndalimin për të hyrë në SHBA të disa zyrtarëve.
Zëri i Amerikës: Një masë e përdorur nga SHBA për të luftuar korrupsionin është dhe ndalimi për të hyrë në SHBA apo mohimi ose revokimi i vizave.
Sipas një të dhëne të publikuar shumë kohë më parë, janë afro 170 zyrtarë dhe ish zyrtarë ndaj të cilëve është marrë një masë e tillë. A po vijoni ta ushtroni këtë të drejtë, dhe a është zgjeruar kjo listë apo ka mbetur po aq?
Ambasadorja Yuri Kim: Ne do të vazhdojmë të përdorim çdo mjet në dispozicion për të trajtuar çështjen e korrupsionit sepse është kaq shkatërrimtar.
Dhe shkakton dhimbje dhe frustrim të jashtëzakonshëm të shohim që korrupsioni të mbajë poshtë një vend si Shqipëria.
E kam thënë edhe më pare, kur udhëtoj në vend dhe flas me të rinjtë, është frymëzuese sepse janë të zgjuar, janë të angazhuar, kërkojnë mënyra për të edukuar veten dhe vërtet të japin kontribut.
Mendoj se është përgjegjësia e atyre në pushtet për të ndryshuar situatën në Shqipëri, për të larguar korrupsionin, dhe për të siguruar një Gjykatë Kushtetuese deri më 31 dhjetor, për të ndaluar shfajësimet dhe për të krijuar një vend ku të rinjtë të duan të rrinë.
Ata janë një thesar dhe mund të jenë një aset gjigand për këtë vend dhe prandaj nxis gjithë kohën. Nga ana e Shteteve të Bashkuara, ne kemi një fushatë kundër korrupsionit kudo në botë ndaj nuk është se kapemi me Shqipërinë, por sigurisht si ambasadorja amerikane këtu, më duhet të përqendrohem tek ky vend.
Por shpresoj vërtet që njerëzit ta kuptojnë që kjo vjen nga qëllimi që dua të përpiqem t’ju ndihmoj të jeni vendi që duhet të jeni. Shtetet e Bashkuara nuk përpiqen të imponojnë ndonjë gjë, dhe mendoj shumica e njerëzve e kuptojnë këtë.