Jari i nisi sot një letër publike Genc Pollos, pas aktit të tij në Bruksel, ku pasi demaskoi Taulant Ballën, braktisi sallën e Parlamentit Europian dhe u largua.
Në letrën e tij publike, Jari shkruan:
“I dashur Genc!
Ajo që bëre sot në Bruksel, ma bëri zemrën mal.
E kisha një parandjenjë që do ta bëje.
Më kujtohet kur unë isha një kamarier i thjeshtë dhe më thirrën në PD të ndaja sanduiçë për zgjedhje, në vitin 2000.
Njeriu më i urryer në PD atëhere ishe ti.
Këdo që pyesja, të shante ty.
Njëri thoshte “spiun”, tjetri thoshte “Kuqua më i mirë …ashtu nënën e vet” etj gjëra.
Nuk e kuptoja gjithë këtë urrejtje.
Pas teje njeriu i dytë më i urryer ishte Tritani.
Atëhere vendosa të pyes çfarë ishte gjithë ky inat me ju.
Dhe pyeta rojen e Doktorit.
-Janë të poshtër, tha, seç bëjnë ca letra në kompjuter tek të huajt. E nxinë Doktorin.
Më vonë, kur ju u pajtuat disi me Doktorin dhe në fund u bëtë miq me Lulin dhe Kunatin, unë kam pyetur Doktorin se si ishte ajo punë.
-Dëgjo, më tha. Pollo është shumë i aftë me të huajt.
Nuk kishim çfarë ti bënim, u pajtuam se na e nxiu jetën.
Kurse Tritani të shkatërron, se është i pacipë.
Ndaj kur më tha Luli që të ka ngarkuar ty në betejën kundër Taulantit, isha i bindur në suksesin tënd.
Mezi po pres të dëgjoj një deklaratë nga Doris Pack, që të thotë se ajo e ka parë Taulantin tek peshqirat në Munih, ku ajo ishte duke kaluar për qejf, dhe një herë tjetër duke shitur drogë në Hamburg, me dy kosovarë.
Jam i bindur që ti e ke bërë gati dhe këtë skenar.
I vetmi shqetësim i imi tani është se mos Edi Rama bindet njësoj si Doktori, për aftësitë e tua në këtë punë, dhe të bën ai ndonjë ofertë.
Tek kjo pikë nuk kam shumë siguri se ti reziston gjatë.
Se aftësinë tënde në këtë pikë ta ka pas zili dhe Doktori, dhe Nano, dhe Luli, dhe ndoshta ta ka dhe Edi Rama.
Kërkesa ime e vetme është që mos na tradhto në këtë punë që ke nisur.
Vazhdo kështu, se vetëm kështu e gjithë ajo urrejtje që kam pas për ty, unë dhe militantët e PD, do na kthehet në dashuri.
Dhe mezi po e presim deklaratën e Doris Pack për Taulantin.
Boll ta ketë parë diku në Berlin, o me drogë, o tek peshqirat.
Të tjerat i dimë vet ne.
I juaji, Jari!”