Ish-kreu i SHIK-ut, Fatos Klosi u shpreh se nuk e beson që Shqipëria kthehet në target të Iranit pas strehimit të muxhahedinëve.
Ai theksoi se vëmendja e anëtarëve të MEK-ut në vendin tonë që ndodhen në Manëz është shtuar dhe se janë të përgatitur për gjithçka.
“Ata duke pasur këtu opozitën kryesore politike janë të interesuar dhe vëmendja e tyre është shtuar. Edhe ambasada është shtuar me njerëz. Ne përzumë ambasadorin, ka një konflikt, por ne kemi marrëdhënie. Unë jam mik i tyre se më ftojnë në festa. Kur ishin në Irak, Irani i ndiqte, ata janë rreziku kryesor. Këta kanë influencën e tyre, nuk kanë ardhur këtu thjeshtë për tu mbrojtur.
Prodhojnë filma muzikë, propagandë. Qëllimi i tyre është të rrëzojnë regjimin. Nuk rrëzohet nga jashtë, por bashkëpunojnë me ata brenda. Kanë lidhje të vazhdueshme. Ata kanë marrë masa të forta. Atje është një shtet i vogël. Kanë organizim të mirë, kanë marrë punëtorë shqiptarë, kur vete i ftuar atje, njerëzit i fusin pasqyrat poshtë makinave si ambasada amerikane. Janë njerëz që kanë luftuar gjithë jetën. Janë të përgatitur, i kanë menduar të tëra” tha Klosi në Report Tv.