Emisioni “Rudina”, ka nisur këtë të enjte me historinë e 19-vjeçares nga Korça, Darda Dhimo, një vajzë me shumë ëndrra, por që fatkeqësisht iu prenë në mes. Ajo humbi betejën kundër leucemisë akute, një sëmundje e rëndë që ia mori jetën pabesisht.
Historia e saj preku zemrat e të gjithëve me buzëqeshjen dhe dashurinë për jetën. Dardës iu dedikua një shërbim i posaçëm i funeralit, i cili u mbajt sot, në sallën e Kishës Ungjillore Korçë dhe më pas u përcoll për në banesën e fundit.
Për të na treguar në lidhje me funeralin e 19-vjeçares, kishim një lidhje direkte nga Korça me gazetaren Enxhi Kosturi, e cila u shpreh se përveç familjarëve, asnjë nga bashkëmoshatarët e saj nuk ishte me të zeza. Arsyeja ishte amaneti që Darda la para se ajo të ndërronte jetë, në të shkruante:
“Shkunde predikimin Loren me shpresë dhe dashurinë e Perendisë! Nardi mos harro kitarën! Grupi i adhurimit të lavdërojë Perëndinë si asnjëherë! Jo me të zeza në veshje! Nga Kisha të dalë trupi!”
Enxhi Kosturi: Darda në fakt ishte një vajzë shumë e dashur dhe ndihmonte familjet në nevojë, bënte gjithmonë sensibilizim për sa i përket komuniteteve të ndryshme, për familjet në nevojë. Mirëpo Darda, unë vetë personalisht nuk e kam njohur, me ato informacione që kam marrë sot, kam njohur dhe kam dëgjuar sot shumë fjalë të mira për të. Por njëkohësisht, i pëlqente të bënte shumë poezi, por i pëlqente dhe natyra. Sot u bënë edhe homazhet brenda Kishës Ungjillore, ku mijëra nxënës, qytetarë, janë sensibilizuar duke bërë homazhet e vajzës në fjalë. Një vajzë aq e re, me aq shumë ëndrra, por jeta kështu është, duhet t’i pranojmë edhe këto gjëra.
Për sa i përket sëmundjes që ajo kishte, pak a shumë e kishte marrë vesh edhe vetë. Rrinte, rrinte dhe e kujtonte që do të ndodhte diçka e tillë. Dhe vërtet, ajo kur shkoi për të dhuruar gjak, mjekët dhe infermieret përreth, gjatë analizave nuk e kanë pranuar dhe kjo gjë ka bërë që ajo ka vazhduar një sërë ekzaminimesh. Më pas, qytetarët e Korçës janë sensibilizuar duke mbledhur paketa ushqimore, edhe lekë, për të. Edhe kjo ka bërë, që ajo ka shkuar në Selanik për të bërë një sërë terapish, por nuk i ka shpëtuar kësaj lufte të kësaj sëmundjeje.
Rudina Magjistari: Dua të ndaloj tek një amanet i saj. Përveç se ajo kërkon që trupi i saj të dalë nga kisha, pra ka qenë një besimtare, një vajzë që besonte, por lë një mesazh: jo me të zeza në veshje. Pra, nuk dëshiron që t’i shohë me të zeza njerëzit që do ta përcjellin për në banesën e fundit. Edhe këtu e kupton shpirtin e saj të bukur që nuk do t’i shohë njerëzit e trishtuar.
Keep Watching
Enxhi Kosturi: Ajo në familje jetonte me të ëmën dhe të atin, edhe ishin 3 fëmijë. Vajza që ndërroi jetë ishte e madhja, pastaj janë edhe dy fëmijë të tjerë, një motër e një vëlla. Unë kam shkuar atje dhe studentët, vura re, që nuk ishte veshur askush me të zeza, përveç familjarëve dhe kjo gjë më bëri shumë përshtypje. Thashë të ta thosha, por ja që dhe ti e paske lexuar më parë se unë.