Duket se tryeza ovale me flamurin shqiptar të kombinuar me yjet e BE-së, që është vendosur në hollin e Pallatit të Brigadave për të pritur komisionerin Hahn dhe anëtarët e delegacionit që e shoqëronte, ka impresionuar shefin e BE.
Me një kuriozitet të madh dhe buzëqeshje, ulur në tryezën ovale bashkë me ministrat e qeverisë Rama por edhe aktorë të tjerë të lidhur drejtpërsëdrejti me procesin e integrimit, Johannes Hahn nuk ka ngurruar të japë vlerësimin e tij pozitiv se ka mësuar diçka të re, raporton newsbomb.al.
“Falemnderit që na dhatë mundësinë të shohim diçka të re. Së pari nuk jam ulur kurrë në një tryezë si kjo.
Një tryezë fantastike me dizenjo fantastike dhe shpresojmë që të jetë model edhe për të tjerët. Kështu që duhet të mësohemi me dicka të re” tha Johannes Hahn në fillim të takimit.
Ndërkohë që kryeministri vuri në dukje se është hera e parë që zyrtarët e lartë të BE-së ulen në tryezën e përbashkët të qeverisë, raporton newsbomb.al.
Johannes Hahn, zyrtari i lartë i BE-së, mbërriti sot në mesditë në Shqipëri pasi kishte qenë më parë në Maqedoni. Qëllimi I vizitës është perspektiva evropiane e vendit.