Ish-kryetarja e Parlamentit të Shqipërisë, Jozefina Topalli beson se SHBA mund të anulojë në të ardhmen statusin “non grata” për ish-kryeministrin, Sali Berisha.
Në një studio televizive, ish-eksponentja e lartë e PD tregoi si shembull faktin që 3 muaj më parë dy ministra të Turqisë iu hoq “non grata” nga shteti amerikan. “Ata e dëshmuan. Varet nga njerëzit që do afrohen. Nuk e dimë si do shkojnë zhvillimet. Mendoj se ka mundësi të hiqet ‘non grata’. Ishin përpara 3 muajsh.
Ishin dy ministra turq. Unë them atë që është fakt. Ka ndodhur në vende të ndryshme, përse të mos ndodhë dhe këtu?”, deklaroi fillimisht Topalli. Lidhur me situatën brenda PD, ish-kryeparlamentarja në vitet 2005-2013 bëri me dije se vetëm ish-kryeministri Sali Berisha mund të arrijë të bashkojë partinë më të madhe opozitare. Ajo ironizoi dhe deputeten demokrate Grida Duma duke thënë se nuk e njihte.
“Për këtë situatë që ndodhet, vetëm Berisha është ai që mund të bashkojë dhe pajtojë PD-në. Nuk e njoh Grida Dumën. Kush është kjo?”, u shpreh më tej Topalli.
E pyetur nëse Berisha mban përgjegjësi për përçarjen dhe degradimin e partisë më të madhe opozitare, Jozefina Topalli fajësoi deputetët dhe eksponentët demokratë që kanë mbështetur gjatë kësaj kohe liderin e PD, Lulzim Basha duke i shërbyer këtij të fundit me servilizëm dhe pragmatizëm. Sipas Topallit, Berisha nuk është përgjegjësi i parë për krizën në selinë blu.
“Për mua Sali Berisha nuk është përgjegjësi numër një. Përgjegjës janë ata që e kanë mbështetur Bashën me servilizëm dhe me pragmatizëm pa asnjë vlerë. Janë po këta që tani mendojnë që secili prej tyre mund të jetë kryetar i PD”, u shpreh ish-kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Jozefina Topalli.