Nga Jozefina Traboini
Unë nuk e njoh Gjon Shkambin as Gjovalin Shkambin, unë njoh Pal Shkambin.
Nana jeme e ndjerë asht e bija e Ndrek Tom Kurbinit. Ndrek Tom Kurbini ishte tregtar, dhe pronar i një pjese toke prej 30 dylymesh, tokë që besoj e njeh mirë Shkodrën, prej te Ish-Metalikja e deri tek ish-Nesheneja — ka kenë pronë e gjyshit tem, 30 dylym tokë, e din tanë Shkodra, tanë Qeveria, tanë Bashkia, tanë njerzia.
Unë jam juriste dhe pronave të nanës teme i kam ra mbrapa tash 30 vjet. Janë të njohuna me vendim të Kthimit të Pronave; Shoqata e pronarëve e di mirë këtë pronë. Kjo pronë ka çertifikatë pronësie dhe asht e regjistrueme qysh në 1930, dalë këto nga Arkiva e Shtetit Shqiptar, me harta, me kordinata, me genplane, me planimetri e me gjithë dokumentacionin qysh në atë kohë — që përveç familjes Kurbini, këto dokumenta nuk i posedon askush.
Familja Shkambi ka ra në Shkodër në vitin 1991, kur ra sistemi, dhe nuk e di për këtë ndërtesë e për këtë emër — që më vjen keq që kjo gja ka ndodh kështu. Unë po flas për Pal Shkambin, zaptuesin e tokës së Ndrek Tom Kurbinit. Ai e di shumë mirë, sa kur nana jeme, me tezet e mia dhe vëllanë e vet — trashëgimtarët direkt të pronësisë së babës së vet — ky Zoti Pal Shkambi i ka dalë me kallash në dorë dhe u ka thanë:
“Ikni, plaka, se 2 metra vend ju pret ju!”
Këtë e di gjithë populli i Shkodrës, gjithë zona industriale, e gjithë Bashkia, Gjykata e Qeveria.
E ripërsëris, nuk po flas për Zotin Gjin Shkambi dhe për këtë godinë — nuk janë këta — po flas për Pal Shkambin.
Tokat kanë zot, dhe pronarët e ligjshëm kurrë nuk janë pyetë. I kanë marrë pronat që në 1945 dhe kanë ba çfarë kanë dashtë me to. Aty e ka marrë para krimi i kuq tash 100 vjet, dhe prona nuk shkon kurrë te i Zoti, por te i PaZoti.