Botimi në shqip i librit “Banda e fëmijëve” e gazetarit dhe shkrimtarit italian Roberto Saviano ishte në fokus të analizës së emisionit “Ju flet Moska” me gazetarin Kastriot Myftaraj.
Myftaraj vuri në dukje një fakt interesat por edhe tejet shqetësues nga ky libër, ku të gjitha dialogjet mes kriminelëve dhe mafiozëve janë përkthyer në dialektin gegë.
Kastriot Myftaraj: Nuk ka shumë ditë që në Shqipëri është botuar një libër i autorit Roberto Saviano “Banda e fëmijëve”. Është një libër që tregon sesi sot krimi i organizuar josh fëmijët si një aventurë, krijohen bandat e adoleshentëve që pastaj përdorin teknologjinë më të fundit të komunikacionit për të kryer veprimtarinë e tyre.Është një libër që është një paralajmërim i madh.Në këtë libër të botuar në shqip, të gjitha dialogjet e kriminelëve dhe mafiozëve janë përkthyer në gegnisht.Libri më tutje vazhdon korrekt në gjuhën letrare shqipe, kurse dialogjet janë në gegnisht.Është njëlloj sikur gegnishtja paska fituar statusin e një gjuhe të mafies, një zhargoni të mafies.
Më tutje, Myftaraj tha se përkthimi i këtij libri në shqip është financuar nga shteti italian.
Kastriot Myftaraj: Këtu ka nxitje të urrejtjes, të rracizmit. Presim t’u kërkojnë përgjegjësi atyre që u kanë dhënë paratë, botueses Arlinda Dudaj. Ajo që e bën edhe më të pakëndëshme këtë, është fakti se shtëpia botuese Dudaj ka botuar dhe librin e kryeministrit “Kurban”. Është shtëpi botuese me një status të priviligjuar si me qeverinë shqiptare ashtu dhe atë italiane derisa merr financim për botim.
Kastriot Myftaraj thotë se Prokuroria duhet të nisë procedim penal për nxitje të urrejtjes ndërmjet shtresave të popullsisë.
Kastriot Myftaraj: Libri nga mënyra si është përkthyer, prokuroria duhet të nisë procedim penal për nxitje të urrejtjes ndërmjet shtresave të popullsisë. Nxitet urrejtja ndaj gjithë popullsisë që flet si gjuhë tradicionale gegnishten, dialektin gegë të shqipes dhe posaçërisht të Shqipërisë së mesme që në këtë rast është përzgjedhur si nëndialekt për tu shpallur si gjuha zyrtare e mafies, që nuk është e vërtetë.
Për Myftaraj, këto nuk janë konçidenca.
Kastriot Myftaraj: Ka hyrë në një fazë të re dhe intensive ai që quhet operacioni Forca e Ligjit.Njoftimi i policisë së shtetit në kuadrin e operacionit “Forca e Ligjit” arrestohet dhe reperi Stresi. E gjetën me armë do ta arrestojnë. Por ne jetojmë këtu dhe e dimë që po të shkosh të kontrollosh këta këngëtarët dhe reperët i gjen dhe me ndonjë armë, se dhe në Amerikë ky lloj komuniteti janë. Por u përzogj Stresi për të përcjellë këtë idenë se gegnishtja është gjuha e mafies.