Kuvendi i Malit të Zi ka mbajtur dje seancën e votës se mosbesimit ndaj qeverisë së kryeministrit të vendit, Dritan Abazoviç, pasi ky i fundit firmosi në fillim të muajit gusht marrëveshje me Kishën Ortodokse Serbe.
Në seancë ka pjesë edhe vetë Dritan Abazoviç si edhe ministrat e kabinetit të tij.Sipas medieve malazeze Abazoviç ka thënë se nëse qeveria e tij nuk rrëzohet sot, atëherë ai do të vazhdojë të mbetet kryeministër i vendit dhe se nëse bie, atëherë do të ndjekë protokollin e parashikuar nga kushtetuta e vendit.Ndërsa ka thënë se nuk ka pasur diskutime konkrete për rindërtimin e mundshëm të qeverisë, në rast se nuk rrëzohet.
Abazoviç nga foltorja e Kuvendit ku po votohej për shkarkimin e tij deklaroi se disa persona kanë krijuar një atmosferë ku mendohet se një shqiptar nuk di të vendosë për Malin e Zi.“Ka njerëz që pas 30 gushtit të vitit 2020 nuk mund të lidhen më me sistemin shtetëror.
Ata ftohen që vazhdimisht të bëjnë diçka, të shkaktojnë urrejtje fetare dhe kombëtare”. Këta njerëz krijojnë një atmosferë se kinse shqiptari nuk di të vendosë për ne për vendin tonë”, tha Abazoviç. Më tej Abazoviç tha se është i gatshëm të zbulojë “të gjitha gjërat që fshihen nën qilim”.
“Po zhvillohet një aksion i organizuar për destabilizimin e shtetit. DPS po e shtyn Malin e Zi në probleme të mëdha me këtë politikë. Nuk e di nëse presidenti i DPS-së merr më shumë vendime në emrin tuaj apo është i shantazhuar. Mos mendoni se nëse nesër ndodhin gjëra në rrugë, nëse derdhet gjak, nuk jeni përgjegjës për këtë. Po ju paralajmëroj nga kjo foltore. Unë e ftoj SDT-në të kontrollojë këto pretendime. Këta janë njerëzit që po e shtyjnë Malin e Zi drejt destabilizimit. Ju po e shtyni Malin e Zi në krahët e botës serbe, duke rrënuar shoqërinë civile”, u shpreh ai.