Juristi i njohur Romeo Kara ka analizuar dje situatën politike në vend, ndërsa ka leshura një arsenal kritikash në adresë të pushtetarëve e veçanërisht ndaj ish-kryeministrit Sali Berisha dhe presidentin Ilir Meta.
Në një intervistë të gjatë për gazetën “SOT” dhe të mbushur me detaje zoti Kara, u shpreh se ish-kryeministri Berisha dhe presidenti Meta, kanë vetëm një shpresë, të destabilizojnë vendin dhe të mbajnë peng drejtësinë dhe demokracinë. Ai theksoi se binomi Meta-Berisha gjithmonë kanë luajtur me kartën e destabilizimit. Juristi vijoi më tej duke thënë se, shpallja si “non grata” e ish-kryeministrit Sali Berisha nga Amerika erdhi pasi ai u përcaktua si një person i rrezikshëm për sigurinë kombëtare të vetë Amerikës.
-Zoti Kara, vendi është përfshirë nga protestat masive, për shkak të rritjes së çmimeve. Si ju duken këto lëvizje?
Protesta në vetvete është një kundërshtim dhe mospajtim me një apo disa veprime të cilat cenojnë interesat, të drejtat, sigurinë apo dinjitetin e individit apo të grupeve të tëra shoqërore. Duke parë rritjen spekulative të çmimeve, pa nisur akoma mirë lufta në Ukrainë, unë e konsideroj të ligjshme dhe të nevojshme protestën, pasi edhe unë si qytetar i vetëdijshëm për situatën dhe lojërat e tregut, nuk mund ta pranoj që karburanti, i cili blihet ligjërisht me çmime dhe sasi tremujore të shtrenjtohet pa u bërë 24 orë nga fillimi i luftës.
Protesta do t’i vlente çdo qeverie për t’u ngritur në nivelin e sfidave të kësaj situate të paprecedentë lufte, dhe të ushtrojë qartë dhe prerë përgjegjësitë e saj, duke siguruar furnizim të paanshëm të mallrave thelbësore për njerëzit dhe me çmime të arsyeshme. Pikërisht qeveria duhet të rregullojë çmimet e mallrave, si kur ka superprodhim, ashtu edhe nëse ka mungesë të produkteve. Shtetet mund dhe duhet të jenë rregullatorë në interes të publikut, nëpërmjet legjislacionit (d.m.th. ligjeve tatimore), por edhe nëpërmjet organeve ose subjekteve të ndryshme, që ushtrojnë funksione rregullatore.
Është pikërisht ushtrimi i rolit kontrollues dhe rregullator i shtetit që zbut efektet negative sociale, politike dhe ekonomike të krizave në përgjithësi përfshirë edhe ato të shkaktuara nga lufta. Menaxhimi i krizës si sfidë, padyshim që do të bëjë të nevojshme zgjerimin e vetë shtetit duke i dhënë tiparet e shtetit rregullator, i cili nuk kufizohet vetëm në integritetin ekonomik dhe social, por edhe në elemente përbërëse të shtetit të mirëqenies dhe në përgjithësi të kapitalizmit të mirëqenies.
Pikërisht kjo do të jetë e ardhmja e entitetit shtet, në rritjen e rolit të tij nëpërmjet rregullimit dhe jo vetëm apo edhe kryesisht të transfertave fiskale. Mirëqenia është një synimi i dëshiruar i çdo shteti, populli e qeverie, ndërsa rregullimi është një instrument, duke sjell një shkrirje të shtetit taksues me shtetin rregullator. Kontrolli, monitorimi dhe rregullimi, është infrastruktura administrative e qeverisjes se mirëqenies. Kjo prevalon edhe mbi pronësinë publike, si një formë e veçantë kontrolli.
Tashmë parimet anglo – saksone të qeverisjes konsistojnë në, proceset e bërjes së rregullave, monitorimit dhe zbatimit të tyre. Pra parë në këtë këndvështrim, protesta do të ketë ndikimin pozitiv të saj. Disa reagime u panë që erdhën si pasojë e kësaj proteste.
-Historia ka treguar se protestave qytetare iu mbivendoset politika. Dhe duket se kjo gjë tashmë ka ndodhur, pasi në protestën e kësaj të shtune u panë në rresh të parë eksponentë të Ilir Metës dhe Sali Berishës, çka bërë që ai tubim të rrudhej dhe dështojë. Keni një koment?
Shpeshherë, është e pamundur që të kontrollosh përbërjen e një turme protestuese, dhe në këtë pikëpamje ajo ka qenë e lirë për këdo, pavarësisht se në televizion kam parë dhe dëgjuar akuza si për dirigjimin ashtu edhe për instrumentalizimin e saj.
Kryetari i një partie politike opozitare, që kishte vajtur aty për të folur dhe mbështetur protestën, pasi iu ndalua kjo gjë, është shprehur se, protesta ishte e dirigjuar, duke i shërbyer si kapital politik, vetëm një grupi të caktuar njerëzish. Edhe ne revolucionin francez ishin disa rryma dhe disa interesa shpesh edhe armiqësore mes tyre, të cilat historia i ka përcaktuar qartë, prandaj është e kuptueshme që protesta të pastra e të kulluara, vështirë se do te hasim ndonjëherë.
Po kështu, edhe politiken që zotëron mashën e protestës nuk mund ta shmangim dhe nuk ka përse t’a penalizojmë. Do të ishte me e ndershme për të, që ajo të dilte hapur në protestë, sepse është pikërisht detyra e saj të bëjë politikë opozitare qoftë edhe në rrugë, por jo vetëm në rrugë. Perceptimi se, opozita politike rrudh, komprometon dhe rrënon çdo protestë, është fatale për opozitën dhe vendin. Kjo flet për krizën morale dhe të besimit për opozitën si dhe për stanjacionin e saj.
Pavarësisht viteve që kalojnë, ajo këmbëngul të mos ndryshojë duke rrudhur jo vetëm protestat, por edhe vetveten. Opozita ka qenë pararendëse në qeverisje dhe ka përgjegjësinë e saj, lidhur me ndërtimin e këtij shteti dhe problematikat e tij. Të njëjtët njerëz, i njëjti mentalitet.
Çfarë premton të bëjë ndryshe kjo opozitë? A ka kjo opozitë kusuret e saj lidhur me Armon, Albpetrolin dhe rrënimin e sektorit publik të karburanteve? Patjetër që po? A ka përgjegjësi kjo opozitë lidhur me aferën e quajtur Nafta Virgine?
Po me Bankersin që ia delegoi kësaj qeverie? Patjetër që po. Pra, se paku, kjo opozitë duhet të kërkojë ndjesë dhe të heshtë, duke mos bllokuar dhe kompromentuar aksionin e vërtetë opozitar. Njerëzit e thjeshtë kur preken tek interesat jetike të tyre, sigurisht që do të protestojnë, pasi ata e kanë të vështirë të kuptojnë çfarë është forca madhore e luftës dhe pasojat e saj. Një pjesë e mire e tyre kërkojnë vetëm të mbijetojnë, prandaj është e rëndësishme të mendohet dhe aplikohet për një qeverisje më largpamëse, të aftë për përballimin e krizave dhe të luftërave.
Këtë radhë u rrit çmimi i karburanteve dhe ushqimeve, por iu ul çmimi opozitës. Radhës tjetër, i duhet dërguar fatura e krizës, elitës politike, monopoleve dhe oligopoleve, të cilat rrëmbyen gjithçka patën mundësi këto 32 vite, duke e zhveshur këtë popull nga mjetet e jetesës. Nëse realisht lufta do të zgjas, do të kemi patjetër rritje çmimesh, pasi me sa unë jam në dijeni, pa konsideruar grosistet e mëdhenj, pjesa tjetër e tregut të karburanteve, vështirë se mund të punojë me këto çmime më tepër se dy muaj.
Ka të ngjarë që ata të falimentojnë dhe tregu të kontrollohet me pas nga dy apo tre subjekte. Në termat afatshkurtër qeveria do të bëjë rolin e rregullatorit duke luajtur e detyruar nëpërmjet taksave dhe subvencioneve, ndërsa në termat afatgjata, ajo patjetër duhet të rikthejë në eficense sektorin publik të karburanteve, i cili është masakruar nga shpërdorimi dhe korrupsioni. Kontroll-rregullim. Ky do të jetë padyshim nesër roli i shtuar i shtetit në të ardhmen.
-Nga ana tjetër kryeministri Edi Rama i ka cilësuar këto protesta si të yshtura nga dyshja Meta-Berisha, që i bëjnë nder vetëm Moskës. Sa qëndron kjo deklaratë?
Pa u bazuar tek ajo që thotë Rama, unë personalisht dhe mjaft të tjerë si unë, kemi perceptimin se njerëzit e korruptuar të kallëpit Berisha dhe Meta, kanë vetëm një shpresë, të destabilizojnë vendin dhe të mbajnë peng drejtësinë dhe demokracinë, si të vetmen mënyrë për të shmangur ndëshkimin e tyre. Këta dy persona gjithmonë kanë luajtur se fundi me kartën e destabilizimit.
Lidhur për sa më sipër ata do të përpiqen në çdo rast të kapin apo krijojnë ndonjë kauzë për të përligjur veprimet e tyre destabilizuese, përfshirë edhe protestat. Kjo është arsyeja përse shumë njerëz të mirinformuar dhe të përgjegjshëm nuk iu bashkuan atyre. Ata janë realisht kufiri i ndarjes së shqiptarisë dhe antishqiptarisë. Çdo destabilitet politik në Shqipëri me këto momente, do të ishte realisht në favor të politikës agresive dhe destabilizuese të Rusisë, për më tepër që jemi të paralajmëruar, për synimet dhe përpjekjet ruse, për destabilizimin e rajonit tonë.
Është e qartë më tepër se kurrë, se të korruptuarit dhe destabiluzuesit e Shqipërisë kanë rënë në një kohezion të plotë me politiken ruse. Jo me kot edhe State Departament ka bërë shpalljen “non grata” të Berishës duke e përcaktuar edhe si person të rrezikshëm për sigurinë kombëtare të vetë Amerikës.
-Ndërkohë situata politike duket sikur është nxehur, ku në skenë ka dalë edhe presidenti Ilir Meta, i cili ka premtuar se do të zbres në sheshin politikës. Sipas jush kush janë arsyet që Meta po i rikthehet politikës?
E cekëm edhe më lart, Meta ka probleme të mirëfillta mbijetese, përballje me drejtësinë në një të ardhme të afërt dhe me vete të kaluarën e tij politike. Rrugë tjetër për të mbijetuar, nuk ka. Besoj se nuk qëndron si term premtimi i tij: “do të zbres në sheshin e politikës”. Ai kurrë nuk i është larguar politikës, përfshirë edhe rastet, kur merrte me radhë malet e Shqipërisë. Ai ka qenë protagonist me kohë të plotë edhe pse në kundërshtim me Kushtetutën e vendin dhe etiken politike.
Çfarë çudie ka në dorën e tij Meta që pret ta bëjë surprizë duke u rikthyer formalisht, pasi konkretisht ai është në shesh? Asgjë. Këtë që po e them sot, do ta konstatojmë shpejt pasi ai të kthehet aty ku ai synon, kryetar tek PD-ja në vend të Bashës, apo tek LSI-ja e zgjeruar me ardhjen e Berishës. Sido që të jetë, një gjë është e sigurt që ai do të jetë përkrah Berishës. Hallet i kanë aq shumë të njëjta, sa nuk e kanë më luksin të mos rrinë bashkë. Më shumë se sa në sheshin e politikës, Meta do të zbresë në konakun “non grata”, pikërisht aty ku i takon.
-Rikthimin e presidentit Ilir Meta në politikë dhe madje në krye të LSI, e paralajmëroi edhe bashkëshortja e tij njëherësh, “Zonja e Parë”, Monika Kryemadhi. Kështu që më lejoni t’iu pyes se gjatë kësaj kohe që Meta ka qenë në Presidencë a ka pasur ai ndikim në LSI?
Më saktë do të ishte, a ka pasur ndonjë moment që ai nuk ka pasur ndikim në LSI? Duke pasur parasysh lidhjen e tij me Monikën dhe natyrën e saj, besoj se, mund të ketë pasur ndonjë moment që ai nuk ka pasur ndikim. Ai është kalkulator më i mirë se Monika, prandaj rrokopujën e LSI-së unë personalisht ia faturoj asaj dhe delirantizmit të saj, pa përmendur aftësitë politike të Ramës për t’ia hequr herë pas here pendët, kaposhit LSI.
Në përgjithësi dhe sidomos këto kohët e fundit, ai ka pasur dhe ka ndikim të plotë mbi LSI-në që realisht është iniciativa dhe krijesa e tij politike, sigurisht e frymëzuar dhe përkrahur nga Berisha gjithashtu. Berisha ka deleguar miq të tij personalisht tek Meta, në fillim të viteve 2000, me misionin strategjik të përçarjes së PS-së. Ai është shprehur, jo publikisht se, një PS kaq e madhe është shumë e vështirë që të mundet. Besoj se edhe Fahri Balliu është në dijeni të këtij fakti.
-Ka zëra se Ilir Meta pas shkarkimit do të shpallet person “non grata” nga Departamenti Amerikan i Shtetit. Ju i besoni këto?
Besoj se po. Fakti që ai realisht po trajtohet si “non grata” ma përforcon këtë bindje. Ai është injoruar hapur nga të gjitha personalitet politike që kanë vizituar Shqipërinë së fundmi. Kur pashë mospërfilljen, që i bënë edhe autoritetet tona, kur ai mblodhi këshillin e sigurisë, konstatova braktisjen e plotë ndaj tij dhe ndjeva fundin e tij politik. Një gjendje e tillë absurdi, të presidentit tonë, më kujton shprehjen: rahmet për së gjalli. Analizuar veprimtarinë tepër të ngjashme me Berishën, unë e gjykoj plotësisht të mundur shpalljen e tij “non grata”.
-Nga ana tjetër, ish-kryeministri Sali Berisha ka leshura edhe një tjetër deklaratë të fortë, teksa nga oborri i Kuvendit të Shqipërisë zbuloi se oligarkët rusë të Gazprom i kishin ofruar atij 4 miliardë dollarë me qëllim që të mos lejonte ndërtimin e gazsjellësit TAP në Shqipëri. Sa qëndrojnë këto pretendime të Berishës, pasi edhe ju keni denoncuar lidhjet e tij me rusët dhe sa i takon kësaj oferte. Mund të na japësh më shumë detaje rreth këtyre prapaskenave…
Ka qenë thjesht një status i imi, ose më mirë një share që unë i kam bërë një artikulli të një gazete, ku përfliteshin lidhjet e Berishës me Gazprom dhe prononcimi i Ambasadës Ruse, që nxitën disa miq të komentojnë, ndërmjet tyre edhe ish-drejtuesi i Albpetrolit, Pajtim Sula, i cili rikonfirmoi këto lidhje të Berishës me anë të komentit të tij në adresën time të FB.
Si pak gazetar që u bëra përgjatë rrugëtimit tim në përballjet e mija, unë e kapa vlerën e këtij komenti dhe e veçova, duke e ripostuar si një status më vete, pa e deformuar aspak atë dhe pa e prekur autorësinë. Mendova se kryqëzimi publik i fakteve do të ndihmonte në zbardhjen e një të vërtete dhe evidentimin e një tjetër rasti mashtrues të Berishës.
Realisht unë e kam këshilluar Berishën, që do të jetë më mirë për të mos e hapë gojën fare, sepse sa herë që e hap, i hap vetes telashe. Prononcimit të Pajtim Sulës iu shtua edhe një prononcim nga arkiva e ish-ministrit të Jashtëm të Berishës, Mustafaj, i cili konfirmoi se ishte qeveria shqiptare që po i drejtohet me një ofertë Gazpromit, pasi vetë Gazpromi nuk kishte ndonjë interes të veçantë për projektin në fjalë.
Me sa u pa, Berisha bëri dhe një deklaratë të nxituar, vetëdiskretituese dhe vetëpenalizuese, ku pranoi dhe sekserllikun e një miku të tij turk si dhe formën e tij anti-etike dhe anti-ligjore qeverisëse. Debati publik ka të mirat e tij. Ky ishte një rast specifik.
-Le të dalim pak nga politika dhe të përqendrohemi tek drejtësia. Si ju duket ecuria e reformës në drejtësi?
Shumë e ngadaltë, më shumë pasoja negative, por shumë e nevojshme. E kam konstatuar dhe jam shprehur publikisht që në janar të vitit 2017, që kjo reformë do ketë probleme dhe kështu do shkojë. Fatkeqësisht, pata të drejtë. Të gjithë faktorët politik, nuk janë të interesuar për ta bërë shpejt dhe me efikasitet këtë reformë. Të gjithë shpresojnë biles që ajo të mos bëhet kurrë.
Gjithsesi, askush nuk mund ta mbajë kohën peng në grushtin e tij. Tashmë po vjen koha e drejtësisë për shqiptarët, kështu që reformës shpejt a vonë do t’ia shohim hajrin. Për fatin tonë të mirë, aleatët tanë me në krye SHBA-në, janë të përcaktuar qartë dhe pa ekuivok lidhur me reformën. Tabutë po thyhen, proceset gjyqësore kundër politikës së korruptuar po fillojnë dhe burgjet po hapen edhe për të. Pa ndëshkim, nuk ka drejtësi dhe pa reformë kurrë nuk do të ketë ndëshkim.
-Së fundmi SPAK ka hapur një sërë dosjesh të bujshme si “21 Janari”, “Gërdeci”, “CEZ-DIA” apo edhe privatizimi i kompleksit “Partizani”, ku janë të përfshirë shumë pushtetarët të lartë si Sali Berisha, Arben Imami apo edhe Ilir Meta. Mendoni se Prokuroria Speciale do të guxojë dhe do të zgjerojë hetimin deri tek emrat e sipërpërmendur?
Nëse nuk guxojnë, së paku duhet te ikin se ka të tjerë që guxojnë. Besoj se disa prej tyre tashmë duhet të kishin ikur, pasi nuk kanë justifikuar as pagën dhe as besimin tonë. Sidoqoftë, disa të tjerë kanë treguar se nuk kanë marrë parasysh se cilët persona janë përfshirë në afera, por kanë hapur çështje dhe kanë zhvilluar hetime. SPAK-u gëzon një mbrojtje dhe një përkrahje të fortë.
Vetëm SPAK-u nuk e ka kuptuar si duhet këtë gjë. Më tregoni vetëm një rast, kur dikush nga spurdhjakët e politikës së lartë apo kriminelët rreth tyre, kanë guxuar të kërcënojë apo shantazhojnë dikë nga SPAK-u. Deri më tani, askush nuk ka guxuar, pasi e dinë mirë statusin dhe garantin e SPAK -ut. Kam besim se SPAK-u do ngrihet në nivelin e misionit të tij, ashtu si kam bindjen se, faza e parë e tij ka përfunduar dhe ai duhet të përtërihet në drejtimin e tij ashtu si edhe në numrin e prokurorëve dhe OPGJ-ve. Momentalisht SPAK-u po heton në nivelet më të larta.
-Megjithatë edhe Lulzim Basha e ka cekur disa herë në diskursin e tij politik çështjen e “21 Janarit”. A di Basha më shumë detaje sa i takon “21 janarit” dhe rolit të Sali Berishës e Ilir Metës?
Padyshim që Basha di gjithçka rreth asaj ngjarjeje, motivit, skenarit dhe realizimit të saj si dhe veprimeve pas saj për deformimin e hetimeve dhe shmangien e pasojave të tyre. Prononcimi publik jo vetëm e obligon Bashën t’i vetëofrohet prokurorisë, por edhe prokurorinë të thërrasë atë.
Nëse do të ofrohen prej tij fakte të reja, atëherë çështja padyshim që do të rihapet dhe nuk do të jetë çudi që të konkludohet edhe në një inkriminim të Berishës. Çështja e Metës është më e thjeshtë, pasi është plotësisht e mundur të hidhet poshtë akti i turpshëm i ekspertëve të cilët rrëzuan vlerën si provë të videos së famshme të Dritan Priftit, duke i hapur rrugë pafajësisë së Metës në Gjykatën e Lartë. Nëse Basha ofron prova për komprometimin e këtij gjykimi, atëherë edhe çështja e Metës është plotësisht e mundur që të rikthehet për gjykim.
-A ka ardhur koha që të shohim para drejtësisë politikanët e korruptuar dhe inkriminuar që ndrysh quhen “Peshqit e Mëdhenj”?
Padyshim që po. Shqiptarët mezi po e presin këtë kohë. Kuptohet edhe unë se bashku me ta. Nuk ka asgjë më të rëndësishme për ne, se sa rikthimi i drejtësisë, barazisë përpara ligjit, shtetit ligjor ku do të sundojë vetëm ligji, shanseve të barabarta, rikthimit të pasurisë publike të vjedhur si dhe të atyre të mbajtura peng nëpërmjet koncesioneve dhe privatizimeve antiligjore, ndëshkimin e merituar si mësim dhe paralajmërim për politikën e së nesërmes, largimin e kësaj oligarkie, largimin e varfërisë, ndërtimin e një shtrese të mesme si garante reale e vendit dhe ringritjen e vendit në bazë të vlerave dhe shpirtit patriotik.