Mediat e Kosovës, kanë prej ditësh që diskutojnë në lidhje me emrin që ka dalë si ambasador i Kosovës në Shqipëri, Idriz Zeqiraj.
Deri tani ky lajm nuk është komentuar nga qeveria e Kosovës, por gjithsesi, analistë e gazetarë kanë nisur të flasin për këtë emërim.
Zeqiraj, që duket ka njohje personale me ministren e Jashtme të Kosovës, Donika Gërvallën, ka jetuar edhe në Shqipëri, ku ka qenë i burgosur gjatë regjimit komunist.
Ai është shumë aktiv në media kohët e fundit, dhe ka shkruar se ka qenë në një qeli me avokat Spartak Ngjelën.
Të cilin e kritikon rëndë, për qëndrimin e tij ndaj Berishës pas shpalljes Non Grata nga Departamenti Amerikan i Shtetit.
Vendim të cilin, ambasadori i ri i Albinit e konsideron të padrejtë dhe është në një linjë me Berishën, kur thotë se atë vendim e ka marrë Rama dhe Sorrosi.
Ja ç’shkruan “ambasadori, në një polemikë me avokatin.
PROF. DR. SALI BERISHA, BURRËSHTETASI MË i MADH i SHQIPËRISË, PAS MBRETIT ZOG
Shpallja e Prof. Dr. Sali Berishës, me familje “person non grata”, befasoi shqiptarët e përbotshëm, sepse ai ka frymuar dhe vepruar si amerikan i pahile. Si i tillë, është vlerësuar edhe nga shumë personalitete amerikane dhe botërore. Andaj, edhe reagimi i shqiptarëve ishte i matur, me përjashtime të pakëta. Kjo maturi dhe heshtje, ishte domëthëse dhe fliste shumë: “Amerikë, të duam shumë, por, kësaj here i besojmë Prof. Dr. Sali Berishës!” Ky pozicionim i shqiptarëve, ndodhi për herë parë, përgjatë këtij 30-vjeçarit, të pluralizmit dhe të domokracisë të mangët shqiptare!
Pa dashur të mirrem me të tjerët, që u pozicionuan ndryshe nga shqiptarët e kudondodhur, po veçoj dy avoketër, njëri nga Shqipëria, tjetri nga Kosova. Reagimet e tyre janë kontraverse, sepse ata e pranojnë se “arsyeja e ndëshkimit të Berishës, nga sekretari i Shtetit amerikan, Antony Blinken, nuk është korrupsioni e as abuzimi i tij me pushtetin. Por, është krejt politik, kryesisht, rrjedhat politike në Kosovë, denoncimi dhe kundërshtimi i tradhtisë të krerëve pushtetarë, në Shqipëri dhe Kosovë, bashkëpunimi i tyre me Serbinë, për ndarjen e Kosovës!”
Por përveç Berishës, ambasadori i Albinit, ka një simpati edhe për Ilir Metën, të cilin e lavdron për mbrojtjen e Sali Berishës. Kurse për Ngjelën thotë se u josh për tu bërë ministër i drejtësisë.
“Ngjela u josh për ministër të Drejtësisë, post, të cilin Dr. Berisha hezitoi t`ia besojë, pikërisht, pse Spartakut i mungonte dje, i mungon edhe sot, maturia, është i paparashikueshëm, siç po dëshmohet edhe në akuzat, tashmë, kundër Dr. Berishës. Gjenerali francez Napoleon, për mosmirënjohësit, bukëshkalët, kishte aversion, madje, edhe më shumë se sa për tradhtarët!
Nëse Ngjela, nuk veproi si presidenti Meta, me solidarizmin burrëror e proverbial, më Dr. Berishën dhe Familjen e tij të nderuar dhe ideale, që buron nga një e vërtetë e pakontestueshme, nga një bindje e dëshmuar, për ta mbrojtur burrështetasin më të madh të Shqipërisë, pas Mbretit Zog, të paktën, duhej të heshte. Dhe, unë jam i zhgënjyer, me mikun tim të vuajtjes, me të cilin kam ndarë dhimbje e lot…”, shkruan Idriz Zeqiraj, i cili nga mediat e Kosovës përflitet si ambasador i Kosovës në Shqipëri…