Ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka përmes një postimi në rrjetet sociale ka informuar se mbrëmjen e djeshme kanë përfunduar radhët e gjata të pritjes së qytetarëve për të kaluar në pikën kufitare të Kakavijës drejt Greqisë.
Teksa publikon foton ku shihet edhe qytetari i fundit që po kalon drejt shtetit fqinj, Xhaçka falenderon të gjithë ata që këto 4 ditë qëndruan në gatishmëri për t’iu ardhur në ndihmë qytetarëve.
“Live nga Kakavija, ku përfundoi procedura e kalimit për qytetarët e fundit. Mirënjohje të thellë për të gjitha strukturat e angazhuara në këto ditë të vështira. Mirënjohje për efektivët e Forcave të Armatosura, Policisë së Shtetit, mjekëve e infermierëve dhe drejtues e punonjës të pushtetit vendor, të cilët me këmbëngulje, durim e punë në grup ia dolën!”, shkruan Xhaçka.