Propozimi që investitorët strategjikë të ndërtojnë edhe porte turistike pa iu nënshtruar procedurës së koncesionit kaloi në kuvendin e Shqipërisë me votat e socialistëve, ndërsa opozita e kundërshtoi në bllok këtë propozim duke e cilësuar si një draft të porositur. Ligji u mirtua me 76 vota socialistësh.
Një propozim i deputetes së re socialiste Zamira Sinaj për portet turistike u kthye në mollë sherri disa orëshe mes palëve në Kuvend.
Mazhoranca mbrojti ligjin me kreun e Grupit Parlamentar Taulant Balla që argumentoi se nisma do t’i japë një frymë tjetër turizmit.
Propozuesja socialiste e mbrojti ligjin, i cili sipas saj ka për qëllim thjesht lehtësimin e procedurave.
Aktualisht, ligji për portet turistike, parashikon se ndërtimi i tyre bëhet vetëm përmes procedurës së koncesionit. Me ndryshimin e propozuar, për ata që kanë statusin e investitorit Strategjik krijohet mundësia që mos i nënshtrohen këtij detyrimi.
Përmes koncesionit, privati e ndërton me paratë e veta, por pas disa vitesh investimi, në këtë rast porti, i kthehet shtetit. Me këtë ndryshim ligjor, porti turistik duket se i mbetet si pronë përjetësisht privatit.





