Kryeministri Edi Rama u shpreh sot se kush nuk përballon humorin dhe satirën nuk duhet të merret me politikë. Rama tha se pas një video të postuar në rrjetet e tij sociale pak ditë më parë, të cilën e cilësoi si “një teatër kukullash i lezetshëm për të dhënë një mesazh kuptimplotë”, është sulmuar faqja e tij.
Ai tha se sulmi ishte nga kandidatët e një subjekti të ri politik, por që sipas tij kanë mendësi të vjetër. Rama tha gjithashtu se ishte çuditur nga personat që shqetësoheshin pse bënte “humor” me ta, ndërsa shtoi se humori është një mënyrë komunikimi serioz.
“Nuk shaj, këto janë forma barbare komunikimi. Më pëlqen të përdor satirën. Para disa ditësh, është postuar në këtë faqe një episod i një krijimi të dy të rinjve që ma kanë dërguar me dëshirë që ta postoj, një teatër kukullash sipas meje i lezetshëm për të dhënë një mesazh kuptimplotë dhe është sulmuar faqja nga një tufë e madhe kandidatësh të një subjekti politik të rinjtë.
Por e vetmja gjë që mund të kuptoj nga ai sulm i organizuar të deputetëve të subjektit të ri politik është vjetërsia e mendjes së tyre. Kush nuk është në gjendje të përballojë as humorin dhe satirën nuk duhet të merret me politikë. Mua më ka ardhur çudi nga njerëzit që shqetësoheshin pse bëj humor me ta. Kam qenë i argëtuar ku më në fund u gjet një aktor në gjatësinë time dhe me talentin e duhur për të luajtur në portokalli personazhin tim dhe qeshja me lot. Kështu që humori është mënyrë komunikimi serioz për hir të së vërtetës.”, u shpreh kryeministri Rama.