Hetimet për vrasjen e Pëllumb Metës nga anëtarët e familjes së tij vijojnë ende.
Deri më tani në burg ndodhen tre fëmijët e tij, Hysen, Hygerta dhe Amarildo Meta, pasi akuzohen se kanë bashkëpunuar në vrasjen e babait.
Por sjelljet e tyre në seancën gjyqësore dhe gjatë këtyre ditëve në burg, janë bërë shkak për hetime të tjera.
Mësohet se ditën e djeshme oficeri i policisë gjyqësore (OPGj) ka administruar analizat e gjakut ndaj tre fëmijëve që tani janë në paraburgimin e Durrësit.
Ekspertët dhe grupi hetues dyshojnë që tre fëmijët mund të jenë përdorues të lëndëve narkotike për shkak të sjelljeve të tyre në burg gjatë gjithë këtyre ditëve.
Prokuroria pritet që të marrë sërish në pyetje tre fëmijët, për të ballafaquar deklaratat e tyre në lidhje me ditën kur ka ndodhur vrasja, dhe rolin që ka pasur secili. Blerina Meta, bashkëshortja e viktimës, aktualisht është e lirë, edhe pse nën hetim, për akuzën e moskallëzimit të krimit.