Kaos në aeroportin e Brindisit në Itali. 400 pasagjerë janë në revoltë, pasi dy fluturime të Wizz Air që ishin nisur për në Tiranë, devijuan për shkak të motit të keq. Dy avionët, njëri i nisur nga Bolonja dhe tjetri nga Bergamo për në Tiranë, kanë bërë një ulje emergjente në aeroportin e Salentos, ku kanë mbërritur gjatë natës rreth orës 3.
Sipas informacioneve të para, avionët kanë qëndruar për një kohë të gjatë në hapësirën ajrore shqiptare, në pritje për të kuptuar nëse mund të kryhej ulja në Rinas, por më pas kanë devijuar drejt aeroportit të Brindisit, me karburantin drejt përfundimit.
Situata në Brindisi është tensionuar në orët e para të mëngjesit, kur pasagjerët e devijuar, të cilët sipas informacioneve të aeroportit janë asistuar menjëherë, kanë thyer portat (gate) dhe janë futur në pistë, duke kërkuar përgjigje të menjëhershme nga kompania ajrore. Në vendngjarje kanë ndërhyrë forcat e policisë, por sipas informacioneve, të paktën 100 protestues ndodhen ende në pistë, pranë dy avionëve dhe kërkojnë që të nisen fluturimet drejt Tiranës.
Mediat italiane raportojnë se një pjesë e pasagjerëve kanë pranuar ofertën e linjës ajrore për të marrë një autobus për në Fiumicino dhe më pas për të hipur në një fluturim për në Tiranë. Po shqyrtohet gjithashtu mundësia që 150 pasagjerë të arrijnë në Shqipëri me një traget që niset nga Brindizi këtë pasdite dhe që shkon në Vlorë.
Aeroporti po monitorohet nga policia, karabinierët dhe oficerët e Guardia di Finanza për të parandaluar probleme të mëtejshme të rendit publik. Deri më tani, protesta nuk ka shkaktuar vonesa në fluturimet që mbërrijnë ose nisen nga Brindizi.






